Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili ka reaguar për Gazetën Express pasi Prokuroria e Tiranës njoftoi zyrtarisht se ndaj tij nuk ka asnjë hetim për marrje ryshfeti për të lejuar një Call Center në kryeqytet që të kryente veprimtarinë mashtruese me bursat ndaj qytetarëve europiane.
Ndërsa ka hedhur poshtë lajmet që qarkulluan në media, në një komunikim me gazetaren Beklie Koltraka, shefi i Krimit Ekonomik u shpreh se aksioni i datës 15 prill në Call Centerin që ndodhej në rrugën e Kosovarëve është iniciuar dhe zhvilluar nga vetë sektori që ai drejton.
“Siç jeni njohur dhe me reagimin zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, lajmet që kanë qarkulluar janë të pavërteta. Me vjen keq që informacione të tilla të rreme, ndoshta të artikuluara dhe me qëllime dashakeqe, përhapen pa bërë një verifikim, ose pa pritur një reagim zyrtar nga institucionet.
Dua të them se e vërteta është komplet ndryshe nga informacionet që qarkulluan. Çështja penale nr.2306 e vitit 2023, ku rezultojnë të arrestuar 3 persona është referuar në Prokurorinë e Tiranës nga vetë Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar që unë drejtoj. Operacioni në fjalë është iniciuar, hetuar dhe zbatuar nga unë, pra nga skuadra e Krimit Ekonomik”, tha Ismaili në prononcimin për gazetaren Beklie Koltraka.
Gjatë këtij operacioni ranë në pranga Eduart Spasari, Fatmir Qershori dhe Mariglen Karaj, zyrtar i lartë në UKT. Ismaili shtoi se të tre janë arrestuar nga specialistët e krimit ekonomik, duke mohuar kështu akuzat dhe “përmbajtjen e mesazhit” që sipas shkrimeve në media pretendohet se është shkëmbyer mes Karajt dhe administratorëve të Call Centerit për pagesën 10 mijë euro me qëllim që ky biznes të mos prekej.
“Siç e theksova, operacioni është nisur nga unë, nga sektori që drejtoj. Fillimisht është regjistruar procedimi dhe pastaj me vendim është bërë kontrolli në Call Centerin për të cilin po flisni. Gjatë operacionit në Call Center ka qenë skuadra ime. Personi për të cilin flisni (zyrtari i UKT) është arrestuar nga specialistët e sektorit të krimit ekonomik”, shtoi më tej shefi i Sektorit të Krimit Ekonomik për Gazetën Express.
Lajmet që qarkulluan i ka hedhur poshtë në një reagimin zyrtar edhe Prokuroria e Tiranës.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, duke marr shkas nga interesimi i mediave të ndryshme, si edhe nga lajmet që kanë qarkulluar nëpër media dhe portale mediatike, në lidhje me shtetasin Erion Ismaili me detyrë Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, vlerëson të nevojshme që të informojmë opinionin publik që ky lajm nuk është i vërtetë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë , nuk ka filluar veprime hetimore ndaj shtetasit Erion Ismaili në lidhje me çështjen penale nr.2306 të vitit 2023, ku rezultojnë të arrestuar shtetasit E.S., F.Q. dhe M.K.
Kërkojmë mirëkuptimin e medias, që para se të publikojë lajme që i përkasin çështjeve penale, që po hetohen nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, të kërkojë informacion në mënyrë zyrtare, me qëllim informimin e saktë të opinionit publik”, thuhej në reagimin e Prokurorisë disa ditë më parë.