BOTA

Ulen çmimet e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Operatorët telefonikë nga Ballkani Perëndimor dhe nga vendet e Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje për zvogëlimin e dallimeve ndërmjet çmimeve për shërbimet e telefonisë mobile brenda dhe jashtë vendit në të dy drejtimet, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Marrëveshja vullnetare, e firmosur nga 38 operatorë nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, pritet të reduktojë shpenzimet për konsumatorët që udhëtojnë ndërmjet BE-së dhe rajonit, për të paktën një të tretën e çmimeve mesatare aktuale.

Kjo është një marrëveshje për të cilën u arrit pajtim në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur dhjetorin e kaluar, në Tiranë.

Siç theksohet në njoftimin e KE-së, ulja e çmimeve nxit dhe thjeshtëzon shkëmbimet biznesore, kulturore, turistike dhe të tjera ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke forcuar lidhjet ndërmjet rajoneve fqinje.

“Operatorët aktualisht po punojnë për krijimin e produkteve me çmime më të vogla se ato për të cilat u arrit pajtim, që do të jenë në dispozicion për blerje nga numri më i madh i mundshëm i konsumatorëve”, thuhet në njoftim.

Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin e çmimeve të roaming-ut u mirëprit nga komisionari evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Kjo marrëveshje vullnetare do t’i bëjë gjërat të parashikueshme, do të ndihmojë në eliminimin e befasive në faturat e konsumatorëve dhe do mundësojë reduktime të ndjeshme të kostove të roaming-ut për konsumatorët nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor”, ka thënë komisionari Varhelyi.

Ky proces mbështetet edhe nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, dhe nga Komisioni Evropian. KE-ja i ka ftuar edhe operatorët e tjerë telefonikë nga BE-ja dhe rajoni për t’iu bashkuar iniciativës.

Nga 1 korriku i vitit 2021, rajoni i Ballkanit Perëndimor është zonë ku nuk aplikohen tarifat e roaming-ut. Vizitorët paguajnë për thirrje, për porosi SMS dhe për qasje në internet me të njëjtin çmim si në vendin e tyre, nëse ndodhen në territorin e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Marrëveshja për roaming-un mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar në prillin e vitit 2019, pas së cilës çmimet e thirrjeve telefonike janë reduktuar për rreth 27 për qind nga korriku i atij viti, dhe i ka hapur rrugën heqjes së plotë të tarifave të roaming-ut nga korriku i vitit 2021.

Related posts

Protestuesit bastisin ambasadën suedeze në Irak, djegin flamurë LGBT pas djegies demonstrative librit musliman në Sokholm (fotot)

admin

Zjarret brutale në Maui ndezin teoritë konspirative të armëve lazer, vjedhjes së tokës nga Oprah Winfrey dhe pemëve të çuditshme (fotot)

admin

35 viktima nga përmbytjet në Korenë e Jugut, vazhdojnë kërkimet në tunelin ku njerëzit janë bllokuar brenda mjeteve

admin

Leave a Comment