SHQIPËRI

Vrasja e Nikulajt përgatitej prej 2 vitesh, porositësi ofroi 500 mijë euro në Shqipëri por s’gjeti ekzekutor

Ekzekutimi i Ardian Nikulajt, i cili u vra nga të huaj më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin, është projektuar prej të paktën 2 vitesh.

Porositësit kërkuan gjithandej për pajtimin e një vrasësi brenda vendit, por mësohet se askush nuk e mori përsipër vrasjen e 51-vjeçarit. Të njëjtat burime, referuar raporteve të agjencive inteligjente, saktësojnë se për vrasjen e tij ishin ofruar deri në 500 mijë euro, por sërish nga vrasësit shqiptarë me pagesë është konsideruar pre shumë e vështirë.

Kjo, mesa duket, ka detyruar Edmond Haxhinë, që të pajtojë një skuadër të tërë vrasësish dhe bashkëpunëtorësh nga Britania e Madhe dhe Portugalia për t’i dhënë fund misionit. Vetë Ardian Nikulaj e kishte nuhatur se e donin të vdekur prej të paktën 6 muajsh, dhe për këtë arsye kishte rritur sigurinë dhe lëvizjen me makinë të blinduar, por pa ditur se kush ishin agresorët.

Për të vrarë 51-vjeçarin, Edmond Haxhia, solli në Tiranë 4 britanikët, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, Harry Simpson si bashkëpunëtorë e informatorë dhe portugezin Ruben Saravia, si ekzekutorë.

Pas disa ditësh intensive vëzhgime, më në fund, agresori qëlloi drejt Nikulajt mesditën e 19 prillit, pasi u njoftua nga bashkëpunëtorët.

Haxhia, Mithan, Hunt dhe Bridgeman, u arrestuan të shtunën në Londër, pasi u lokalizuan nga autoritetet shqiptare përmes komunikimeve të celularëve. Të arrestuarit pritet të ekstradohen drejt Tiranës pas përfundimit të procedurave, ndërsa për shkak të veprës penale që akuzohen, mendohet se gjykatat britanike nuk do të pengojnë ardhjen e tyre për t’u hetuar e gjykuar në Shqipëri.

Dy të tjerët, Ruben Saravia dhe Harry Simpson, akoma nuk janë lokalizuar. Arrestimi i Saravias në vendin e origjinës Portugali dhe më pas ekstradimi i tij në vendin tonë do të ishte i vështirë, por përmes Britanisë së Madhe ekziston një mundësi. Duke qenë se në vendin ishullor kërkohet për trafik droge, ekstradimi të bëhet fillimisht atje dhe më pas drejt Tiranës.

Related posts

Çmimet e larta ua vështirësojnë qytetarëve bërjen e ajvarit dhe turshive

admin

Protesta e opozitës/ PD mblodhi në Tiranë militantët nga qytetet e tjera

admin

E pazakontë: Ambasada ruse në Shkup feston fitoren kundër Ukrainës, pjesë e festës diplomatë serbë e kinezë

admin

Leave a Comment