AKTUALE

Ruajtja e rritjes në kushtet e ngadalësimit të ekonomisë globale, inflacioni dhe ridistribuimi i të ardhurave

Këtë muaj, së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore, morëm pjesë në takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Bëhet fjalë për një nga dy ngjarjet më të mëdha vjetore ekonomike dhe financiare, ku hartuesit e politikave nga e gjithë bota, institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët, sektori joqeveritar, diskutojnë, debatojnë në nivel bilateral dhe multilateral për sfidat, projektet dhe kahjen në të cilën ekonomia zhvillohet dhe duhet të vijojë më tej. Shumë tema, si krijimi i rezistencës së ekonomive, gjenerimi i rritjes, menaxhimi efektiv në kohë krize, investimi në kapitalin njerëzor, përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër dhe dixhitalizimi, ishin pjesë e diskutimit në takimet e këtij viti. Megjithatë, në fokus ishin vlerësimi dhe përballja me efektet e krizave të shumta të krijuara për një periudhë të shkurtër kohore në ekonominë globale, si dhe rreziqet që janë ende të pranishme dhe që mund ta zhvendosin ekonominë nga rruga e rimëkëmbjes. E tejkaluam pandeminë, mësuam shumë, por bota vazhdon të gjendet përpara sfidave të reja.

Ngadalësimi global i rritjes ekonomike dhe inercioni i inflacionit

Këtë aspekt e pasqyrojnë edhe projeksionet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare për ekonominë botërore dhe rajonin. “Rimëkëmbja e vështirë” (Rocky Recovery) – kështu e titulloi FMN-ja Rishikimin ekonomik botëror të muajit prill, ku konstatoi se procesi i rimëkëmbjes nga shumica e krizave të njëpasnjëshme asnjëherë nuk pritej të jetë “lundrim në ujëra të qeta”. Ndërsa më e përgjithësuar me vlerësimet e saj, sa i përket titullit të rishikimit më të fundit ekonomik rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore është Banka Botërore – “Rritje e dobët, inflacion i lartë dhe krizë e shkaktuar nga kostot e jetesës”. Të gjitha vlerësimet tregojnë se megjithëse ekonomia botërore duket se është në përmirësim, kërcënimet janë ende të pranishme, duke përfshirë edhe trazirat e reja në sektorin financiar.

Sipas projeksioneve të fundit të pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e ekonomisë globale do të ngadalësohet në 2.8% këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar kur ajo u rrit për 3.4%. Në vitin 2024, pritet përshpejtim modest i ekonomisë globale prej 3%. Në fakt, ky është projeksioni më i ulët afatmesëm që nga viti 1990, siç theksoi kryetarja e FMN-së, Kristalina Georgieva, para takimeve të pranverës. Ngadalësimi i rritjes ekonomike është për shkak të ekonomive të zhvilluara, veçanërisht në Eurozonë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Inflacioni ulet, ndonëse në mënyrë më të ngadalësuar se sa pritej fillimisht, nga 8.7% në vitin 2022, këtë vit do të ulet në 7% dhe 4.9% në vitin 2024. Megjithatë, zhvillimet e fundit me bankat në SHBA dhe Evropë, na rikujtuan se sa e ndjeshme është situata. Gjithashtu, inflacioni rezultoi shumë “më këmbëngulës” nga sa pritej. Skenari alternativ i FMN-së, duke supozuar strese të reja në sektorin financiar, parashikon rritje ekonomike globale prej 2.5% në vitin 2023, që paraqet rezultat më të dobët ekonomik që nga viti 2001, duke përjashtuar pandeminë e vitit 2020 dhe krizën globale financiare të vitit 2009. Rigoroziteti i fuqishëm i kushteve financiare është rrezik potencial për kreditë dhe financat publike, veçanërisht për vendet në zhvillim. Gjithashtu, kushtet rigoroze financiare do të ndikojnë në uljen e aktivitetit global, për shkak të uljes së besimit, uljes së konsumit dhe investimeve. Këtu përfshihen edhe rreziqet e “luftës aktive” në Ukrainë dhe rritja e fragmentimit gjeoekonomik.

Të tilla janë edhe projeksionet e Bankës Botërore për muajin prill, e cila gjithashtu ka pritshmëri për ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vitin 2023, si pasojë e kushteve rigoroze financiare dhe zhvillimeve të fundit në sektorin bankar të SHBA-së, të cilat sollën rreziqe shtesë, përfshirë edhe Eurozonën. Përhapjet e mundshme, si dhe vigjilenca e tepërt janë kërcënim për tregjet, ekonomitë në zhvillim dhe për ngadalësimin e mëtejshëm të aktivitetit ekonomik. Aktiviteti i shërbimit duket se është stabilizuar, siç pasqyrohet edhe nga Indeksi i Menaxherëve të Prokurimit (Purchasing Managers’ Index – PMI), i cili në muajin shkurt 2023 ishte pozitiv pas gjashtë muajsh, kryesisht për shkak të aktivitetit të fuqishëm në sektorin e shërbimit. Megjithatë, PMI tregon se aktiviteti në sektorin e prodhimit mbetet prapa sektorit të shërbimit. Rihapja e ekonomisë kineze pritet të nxisë rritjen globale, por efekti në tregtinë globale do të jetë më modest.

Ngadalësimi i ekonomisë në rajon

Projeksionet e Bankës Botërore për rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, nëse përjashtohen Rusia dhe Ukraina, si dhe Turqia ku ndodhi tërmeti katastrofik, janë se rritja do të ngadalësohet në 1.8%. Ngadalësimi i rritjes vjen si pasojë e pritshmërive për ulje të konsumit dhe investimeve private, si pasojë e kushteve rigoroze financiare globale shtesë, uljes së kërkesës së jashtme, si dhe inflacionit rezistent. Kërkesa e jashtme e dobësuar do të ndikojë mbi eksportin pas ngadalësimit të vazhdueshëm të aktivitetit në Eurozonë, ndërkohë që efektet e rihapjes së ekonomisë kineze janë modeste. Pritshmëritë për rritjen e investimeve private dhe investimeve të huaja direkte në vendet në zhvillim, nuk janë shumë optimiste. Nga ana tjetër, investimet publike do të kufizohen nga nevoja për konsolidim fiskal. Konsolidimi fiskal do të jetë prioritet për rivendosjen e hapësirës fiskale për disa vende të rajonit, pas përkrahjes së konsiderueshme fiskale të ofruar nga qeveritë për tejkalimin e krizës energjetike dhe të çmimeve. Konsumi deri më tani ishte një nga shtytësit e rritjes në rajon, por duke qenë se inflacioni vijon të jetë i lartë, me ç’rast ekziston nevoja edhe për konsolidim fiskal, vështirë që konsumi do të mbetet i fuqishëm në periudhë afatshkurtër.

Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik projektohet gjithashtu edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, si rezultat i efekteve të përhapura të invazionit rus ndaj Ukrainës, konsumit më të ulët privat, kushteve rigoroze financiare globale dhe uljes së kërkesës nga vendet e Bashkimit Evropian. Pritshmëritë e Bankës Botërore janë që rritja të ngadalësohet në 2.5% në vitin 2023, nga 3% në vitin 2022. Rritja do të përshpejtohet mesatarisht në 3.4% në periudhën 2024-2025. Megjithatë, perspektiva për këto projeksione është në rënie duke marrë parasysh efektin e inflacionit në të hyrat reale dhe sjelljen e konsumatorëve, si dhe ngadalësimin e aktivitetit ekonomik në Eurozonë, e cila është partnerja më e madh tregtare e Ballkanit Perëndimor. Rigoroziteti i mëtejshëm i kushteve financiare globale që do të vështirësojë qasjen në financa është gjithashtu rrezik. Rritja më e dobët në Eurozonë do të reduktojë gjithashtu remitancat nga jashtë, që do të ketë sërish ndikim në konsumin privat në vendet ku remitancat janë tradicionalisht të larta. Me rikthimin e pas pandemisë së turistëve në ekonomitë të cilat tradicionalisht varen nga turizmi, sektori i shërbimit përforcohet gjithashtu edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pritshmëritë për ekonominë vendase

Kur bëhet fjalë për vendin tonë, pas rikuperimit të shpejtë dhe të suksesshëm nga pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë ndikuan në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Reagimi energjik i Qeverisë me subvencionimin e çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë dhe disa kompani të vogla dhe të mesme, si dhe rritja e pagës minimale, amortizuan disa nga këto efekte negative globale. Në raportet e Bankës Botërore dhe FMN-së, mirëpritet reagimi adekuat ndaj inflacionit duke zbatuar konsolidimin fiskal si dhe duke shtrënguar politikën monetare për ankorimin e pritshmërive inflacioniste. Politikat e duhura ishin gjithashtu bazë për përmirësimin e rejtingut kreditor të vendit, gjegjësisht, perspektivës (nga perspekiva negative në atë stabile, për herë të parë gjatë katër viteve të fundit (sipas Agjencisë FITCH, rejtingu kreditor u vlerësua në BB+ me perspektivë stabile).

Si rezultat i faktorëve globalë që lidhen me inflacionin dhe luftën kundër inflacionit, Banka Botërore, si dhe projeksionet e Qeverisë, presin ngadalësim të caktuar të rritjes në vitin 2023 krahasuar me vitin 2022 (rritje 2.4%). Rritja do të përshpejtohet më tej me realizimin e investimeve të mëdha kapitale të planifikuara të shtetit, si dhe me hyrjen e investimeve të huaja direkte, ndërkohë që inflacioni pritet të bjerë këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Megjithatë, zhvillimet e mëtejshme për ekonominë tonë të vogël dhe të hapur do të vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me partnerët tanë kryesorë tregtarë – Bashkimin Evropian. Banka Botërore percepton se proceset integruese evropiane do të jenë shtysë për realizimin e reformave strukturore, si dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike. Në këtë drejtim, ceken edhe reformat tatimore të destinuara në rritjen e bazës tatimore, rritjen e qëndrueshmërisë energjetike, aktivitetet për thjeshtësimin e mëtejshëm të rregullores për zhvillimin e biznesit, rritjen e konkurrencës, rritjen e përfshirjes në tregun e punës, përforcimin e pavarësisë së institucioneve publike dhe tranzicionin e gjelbër.

Në drejtim të përshpejtimit të rritjes ekonomike në vend është edhe Plani për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, i cili shfrytëzon efektin multiplikativ për mobilizimin e kapitalit privat, krahas investimeve publike. Nëpërmjet instrumenteve dhe formave të reja të financimit është planifikuar rritja e investimeve publike dhe private nga viti në vit, të cilat do të krijojnë vlerë të shtuar në ekonomi dhe do të ndikojnë në përshpejtimin e rritjes ekonomike në normat e synuara prej rreth 5%.

Amvisëritë e varfra dhe me të ardhura të ulëta – më të goditura nga kriza për shkak të rritjes së kostove të jetesës

Pas shqyrtimit të zhvillimeve aktuale globale dhe vendase, dua t’i kthehem gjenezës së problemit – inflacionit, i cili përkon me krizën energjetike, por edhe me efektet ende të dukshme të pandemisë. Pas një periudhe të gjatë inflacioni të ulët, rimëkëmbja jo e barabartë e tregut pas pandemisë – oferta dhe kërkesa, si dhe invazioni rus ndaj Ukrainës, rezultuan në rritje të lartë të çmimeve. Inflacioni mesatar vjetor në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në muajin shtator të vitit 2022 arriti nivelin më të lartë gjatë 23 viteve të fundit, ndërkohë që amvisëritë u përballën me krizë serioze lidhur me kostot e jetesës dhe ndikimin negativ në të ardhurat reale. Kostot dukshëm më të larta të produkteve ushqimore, energjensave, strehimit dhe shërbimeve ndikuan në përkeqësimin e standardeve të jetesës së shumë amvisërive, ndërsa amvisëritë që nuk konsideroheshin më parë të varfra u zhytën në varfëri.

Megjithatë, amvisëritë më të goditura nga kriza e çmimeve ishin amvisëritë e varfra dhe me të ardhura të ulëta. Banka Botërore tregon se në vendet në zhvillim, amvisëritë që gjenden në decilat më të ulëta në distribuimin e konsumit për dy pikë përqindjeje u kapluan nga inflacioni më i fuqishëm se ato në decilat më të larta. Në disa ekonomi kjo diferencë arrin deri në 5 pikë përqindjeje. Në ekonomitë më të zhvilluara, kjo diferencë midis amvisërive më të varfra dhe më të pasura është ende më e vogël (rreth 1.6 pikë përqindje). Në vendin tonë, sipas raportit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, amvisëritë më të varfra u goditën nga inflacioni më fuqishëm për 3.8 pikë përqindje krahasuar me mesataren, ose për 6.6 pikë përqindje më shumë krahasuar me decilat më të larta në distribuimin e konsumit. Arsyeja e diferencës është sepse amvisëritë me të ardhura më të ulëta e fokusojnë konsumin e tyre në më pak mallra dhe shërbime, krahasuar me amvisëritë me të ardhura më të larta. Nëse marrim parasysh konsumin e amvisërive me të ardhura më të ulëta, ai është i fokusuar te produktet ushqimore dhe banimi, në bazë të kësaj, presionet e fundit të çmimeve lidhur me produktet ushqimore bazë dhe produktet energjetike patën efekt më të madh në to. Nga aspekti i rishpërndarjes së të hyrave, kjo krizë kontribuon në thellimin e mëtejshëm të hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.

Inflacioni si shkak i ridistribuimit të të ardhurave dhe pasurisë

Inflacioni ndikon në ridistribuimin e të ardhurave dhe pasurisë. Inflacioni rrit kostot e jetesës dhe kështu godet më shumë amvisëritë me të ardhura më të ulëta dhe të varfrit, pasi që produktet bazë kanë pjesëmarrje më të madhe në buxhetin e tyre familjar. Njëkohësisht, te familjet me të ardhura më të larta, pjesa e ushqimeve bazë ka pjesëmarrje më të vogël në buxhetin e tyre familjar. Nga ana tjetër, vlera e kapitalit në pronat e patundshme rritet, sepse kërkesa për to gjatë krizës rritet si “mbrojtje” e vlerës së parasë në kushte të inflacionit, respektivisht në kushte të rritjes së çmimeve. Si rezultat i kësaj, familjet e pasura që kanë kapital në pasuri të patundshme, bëhen edhe më të pasura. Nëpërmjet ridistribuimit të të ardhurave, mjetet alokohen nga familjet më pak të pasura që do t’i shpenzonin mjetet për nevojat e tyre të jetesës, drejt familjeve që kanë më shumë të ardhura dhe do t’i kursenin këto mjete, ose siç do të thoshte nobelisti Joseph Stiglitz “rialokuam mjetet nga ato që do t’i shpenzonin, drejt atyre që nuk do t’i shpenzojnë”. Kjo kontribuon në thellimin e mëtejshëm të hendekut ndërmjet shtresave sociale në shoqëri. Në vitin 2020, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, ka rritje të shkallës së të varfërve si përqindje e popullsisë  për 0.2 pikë përqindje, respektivisht nga 21.6% në 21.8% (Laeken Indicators). Si rezultat i pandemisë, vërehet rritje sa i përket kësaj shkalle, pas disa vitesh rënie (në fakt, gjatë dhjetë viteve të fundit, kjo shkallë është ulur dukshëm, pothuajse për 6 pikë përqindjeje). Ndryshe, në kontekst të pohimit të mësipërm, në vitin 2020 shkalla e papunësisë vazhdoi të bjerë, me ç’rast indeksi i pabarazisë (koeficienti Gini) u rrit për 0.7 pikë përqindjeje. Ndryshe, vlen të theksohet se gjatë viteve të krizës, në periudhën 2020-2023, si rezultat i politikave të fuqishme të Qeverisë për ruajtjen e vendeve të punës dhe hapjen e vendeve të reja, papunësia vazhdoi të bjerë dhe arriti në nivelin më të ulët deri më tani (14.4%). Krahasuar me BE-në (të dhënat e fundit për vitin 2021) shkalla e varfërisë është afër medianës së tyre (21.7%), me atë që intervali midis vendeve anëtare në to është i lartë dhe varion nga 34% në Rumani deri në 10% në Çeki. Rritja e përqindjes së shkallës së varfërisë ndodh në vitin 2020. Edhe koeficienti Gini i BE-së është rreth 30%, ndërsa shkalla e papunësisë sipas të dhënave të fundit për muajin shkurt të këtij viti është në nivelin më të ulët prej 6% gjatë 15 viteve të fundit.

Ridistribuimi ndodh edhe ndërmjet ekonomive. Inflacioni më i lartë i bën çmimet e produkteve më pak konkurruese, eksporti neto shënon rënie në mënyrë përkatëse me rritjen më të lartë të inflacionit. Nëse mallrat e prodhuara nga një ekonomi tjetër kanë çmim më të ulët, do të thotë se importi do të rritet. Nga aspekti makroekonomik, me rritjen e çmimeve rriten edhe të hyrat e kompanive, por në të njëjtën kohë rriten edhe kostot e inputeve, të cilat ndikojnë në fitimet që realizojnë. Përsa i përket aktivitetit ekonomik dhe ciklit të investimeve, pritshmëritë inflacioniste ndikojnë në ciklin e biznesit. Kur pritet rritja e çmimeve në periudhën e ardhshme, investimet rriten për shkak të përfitimeve që do të kenë biznesmenët në diferencën e çmimit, nga çmimi i furnizimit në atë të shitjes (te tregtarët) ose inputet dhe produktet e gatshme (te prodhuesit). Kjo ndikon edhe në rritjen e marzheve të fitimit, që vihet re më shumë te tregtarët për shkak të qarkullimit më të shpejtë të kapitalit. Sipas statistikave tona, kjo vihet re përmes rritjes së investimeve (për rreth 7%) në gjysmën e dytë të vitit 2022, derisa pritet ngadalësim i tempos në tremujorin e parë të vitit 2023, si rezultat i rritjes së stoqeve vitin e kaluar kur inflacioni pati trend në rritje, ndërkohë që në vitin 2023 ai tashmë është në rënie dhe biznesmenët presin që trendi të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe të reduktohen stoqet e kështu edhe investimet, gjë që reflekton në aktivitetin ekonomik dhe rritjen e PBB-së. Gjithashtu, gjatë vitit 2022, nga tremujori në tremujor, vërejmë rritje të vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, që shpjegohet pjesërisht me fitimin e riinvestuar dhe rritjen e stoqeve, por gjithsesi është edhe rezultat i përforcimit të ciklit të investimeve pas krizës së Covid-it dhe tërheqjes së investimeve të reja të huaja direkte.

Përndryshe, kohët e fundit lexova një analizë shumë interesante për korrelacionin e inflacionit me marzhet e fitimit, e cila bazohet në të dhënat e Eurostat-it dhe qendrës analitike të “Bloomberg”, në të cilën prezantohet se vendet ku janë marzhet më të larta të fitimit kanë edhe inflacionin më të lartë në Evropë, si Lituania, Irlanda, etj. Kjo është vërejtur edhe nga Banka Qendrore Evropiane, duke nënvizuar faktin se fitimet e larta të kompanive i rrisin si çmimet, ashtu edhe pagat. Natyrisht, ky definim i temave është gjeneralizim i përjashtimeve, por është interesant për debatin shkencor dhe për bartësit e politikave ekonomike. Njëkohësisht, komunitetit të biznesit duhet t’i jepet mirënjohje e lartë për rezistencën ndaj krizës dhe guximin për investime, si dhe inovacionin në zgjidhjet e tyre të biznesit. Një krizë është gjithmonë edhe një mundësi e re.

Inflacioni gjithashtu krijon distorzion në relacionet midis kreditorëve dhe huadhënësve, kështu që në rast të inflacionit të papritur, vlera e borxhit në fakt ulet në krahasim me vlerën fillestare, dhe gjithashtu ulet edhe kostoja reale e interesit në kushtet e normave fikse të interesit. Në drejtim të mbulimit të këtij efekti, bankat kompensojnë humbjet e mundshme nga zhvlerësimi i mjeteve në raport me detyrimet në bilancet e tyre nëpërmjet normave më të larta aktive të interesit në raport me normat pasive të interesit të depozitave, duke realizuar kështu marzhe më të larta fitimi në periudhë afatshkurtër. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e parë të vitit 2023, bankat kanë realizuar rritje të fitimeve krahasuar me vitin paraprak.

Inflacioni ka kosto të tjera financiare, ekonomike dhe sociale, si rreziku i spekulimeve të kursit devizor, marzhet e larta tregtare, rritja e pasigurisë së investimeve, rritja e varfërisë dhe shumë aspekte të tjera, por për shkak të hapësirës së kufizuar, këto çështje do të shqzrtohen për ndonjë kolumnë vijuese. Në vazhdim do të jap një pasqyrë të shkurtër rreth përvojave ndërkombëtare dhe atyre të vendit tonë, rekomandimeve, politikave dhe masave të planifikuara ekonomike për menaxhimin e krizës dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Rekomandimet dhe përvojat e politikave ekonomike për menaxhimin e krizës dhe rritjen e qëndrueshme

Duke pasur parasysh efektet negative të inflacionit, pritshmëria për vitet e ardhshme në ekonominë globale është që hartuesit e politikave të orientohen me çdo kusht në luftën kundër inflacionit, derisa të arrihet inflacioni i targetuar. Lëvizja kryesore në luftën kundër inflacionit është lufta lidhur me pritshmëritë inflacioniste dhe ulja e spirales inflacioniste duke shtrënguar politikën monetare me norma më të larta të interesit, si dhe konsolidimi fiskal duke ulur konsumin publik. Kostoja e këtyre politikave është ngadalësimi i rritjes ekonomike në periudhë afatshkurtër. Por në të njëjtën kohë, politikat e qëndrueshme fiskale dhe monetare të kombinuara me reformat strukturore do të nënkuptojnë vendosjen e bazës së qëndrueshme makroekonomike për rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhë afatmesme.

Për reduktimin e efekteve të krizës në aspektin e konsolidimit fiskal, vijon ndihma e targetuar për kategoritë më të ndjeshme, si dhe subvencionimi i çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë. Rritja e pagës minimale, vendosja e mekanizmit të përshtatjes sipas kostove të jetesës, si dhe rritja e pagës mesatare është zgjidhje sistemike për mbrojtjen e kategorive të qytetarëve me të ardhura të ulëta, si rezultat i inflacionit. Një mekanizëm të tillë vendosëm edhe me ndryshimet në Ligjin e Pensioneve, si dhe në Ligjin e Administratës Shtetërore për përshtatjen e pagës minimale. Punojmë edhe për zgjidhje të re ligjore për rregullimin e pagave për të gjithë sektorin publik, ku në mënyrë sistemike do të rregullohet mbrojtja e standardit të jetesës dhe monitorimi i rritjes së ekonomisë. Mekanizëm tjetër i mbrojtjes së kategorive të ndjeshme janë të ardhurat minimale të garantuara, si dhe masat e tjera si programi për uljen e varfërisë energjetike. Gjithashtu u rrit edhe përkrahja për produktet bujqësore strategjike për sigurimin e prodhimit të mjaftueshëm vendas. Përkrahje kishte edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për ato më të goditurat nga kriza e çmimeve dhe ajo energjetike lidhur me çmimin e energjisë elektrike, si dhe përmes linjës kreditore të favorshme për likuiditetin dhe tranzicionin energjetik. Për këtë vit, në buxhet kemi siguruar rreth 225 milionë euro (1.5% e PBB-së) si rezervë për masat antikrizë që do të shfrytëzohen sipas nevojës.

Pikësynimi ynë, përveç menaxhimit të efekteve të krizës, mbetet rritja ekonomike dhe përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve. Njëkohësisht vijon trendi i uljes së papunësisë dhe rritjes së pagave në ekonomi, ndërsa si sfidë e rëndësishme mbetet rritja e produktivitetit.

Rritet niveli i mbështetjes për masat aktive në tregun e punës për krijimin e vendeve të reja të punës dhe masat e reja për mbështetjen e të rinjve në procesin e punës, siç është masa e suksesshme “Garancia për të rinjtë”. Vazhdojmë me politika dhe reforma të qëndrueshme ekonomike për përforcimin e konkurrencës së ekonomisë vendase, duke përmirësuar infrastrukturën, klimën afariste, sundimin e ligjit, dixhitalizimin, tranzicionin e gjelbër dhe pavarësinë energjetike, si dhe përforcimin e kapitalit njerëzor si komponent kyç i rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë.

Në kushtet e çrregullimit të zinxhirëve globalë të vlerës së shtuar dhe fragmentimit gjeoekonomik, jepet mundësia për tërheqjen e investimeve të reja të huaja direkte, të cilat do të kenë efekt shtesë në rritjen ekonomike në të ardhmen. Vazhdojme me programet për mbështetjen e investimeve vendore dhe të huaja me fokus te ato që kanë vlerën më të lartë të shtuar të prodhimit, por edhe që krijojnë më shumë vende pune me kualifikim më të lartë arsimor dhe profesional.

Si përfundim, por me rëndësi të jashtëzakonshme për perspektivat e zhvillimit të vendit, mbetet përcaktimi ynë i fuqishëm për integrim në BE, që do të ketë impuls shtesë ndaj rritjes dhe zhvillimit tonë ekonomik në të ardhmen.

Related posts

Zgjerimi i Frontit Europian, Osmani: Historike!

Gjyla Halili

Sopoti – 21 vjet, rast klasik i montuar, 12 banorë me 156 vite burg, 6 agjentët fajtorë kurrë nuk u përgjigjën!

Gjyla Halili

ZYRTARE/ Shqipëria i shkarkoi Santosin, Polonia prezanton trajnerin e ri

admin

Leave a Comment