BOTA

SHOQATA “MALËSIA E MADHE” NË NEW YORK FESTOI 112 VJETORIN E KRYENGRITJES SË MALËSISË

New York, 29 Prill 2023- Shoqata “Malësia e Madhe” organizoi një manifestim patriotik madhështor në përkujtim të një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është ngjarje e një rëndësie specifike pasi beteja e malësorëve ishte për interesa të përgjithshme shqiptare, mblodhi krerë dhe luftëtarë nga vise të ndryshme shqiptare dhe suksesi i ngritjes së flamurit në Deçiq është arritje historike e kryengritjes së vitit 1911. Betejat ishin sa të vështira dhe të përgjakshme të cilat imponuan autoritet e larta të Perandorisë Osmane të marrin në konsideratë seriozisht kërkesat e shqiptarëve me karakter kombëtarë dhe jo krahinorë, pra duke kërkuar të drejta për të gjithë shqiptarët duke mos u ndaluar me kërkesa lokale të Malësisë së Madhe. Po ashtu, me ndërmjetësimin e ambasadorëve të huaj si dhe të Malit të Zi u arrit një marrëveshje zyrtare që u nënshkrua nga autoritetet e Portës së Lartë dhe hyri në fuqi në gusht të vitit 1911. Edhe pse ajo nuk u zbatua plotësisht, ky ishte një akt i rëndësishëm dhe suksesi i shqiptarëve në këtë Kryengritje të vitit 1911 është një ngjarje historike dhe frymëzim për krerët e krahinave të tjera shqiptare me interes kombëtar për mbrojtje e territorit shqiptar dhe fitimin e lirisë së një vendi të pushtuar për 5 shekuj. Kryengritja e vitit 1911 arriti të bashkojë shqiptarët, kryesisht të vilajetit të Shkodrës dhe ktheu vëmendjen e Stambollit ndaj kërkesave të shqiptarëve duke iu dhënë përgjigje me shkrim dhe duke iu plotësuar atyre disa prej pikave të marrëveshjes. Mbrëmja festive e udhëhequr nga Fran Vulaj dhe Gjystina Bojaj, filloi me këndimin e himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himnit kombëtar shqiptar dhe fjalën e kryetarit Shaqir Gjokaj. Dom Pjetër Popaj, Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në lutjen e darkës u ndal dhe te roli i Dedë Gjo’ Lulit dhe kryengritjes në historinë tonë kombëtare. Age Ivezaj paraqiti sfondin historik të Kryengritjes së Malësisë dhe përpjekjet e përgjakshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA duke u ndalur te historia e lavdishme e kombit shqiptar dhe nevojën e përçimit të vlerave kombëtare te brezat e rinj. Publicisti Gjekë Gjonlekaj në sfondit e kryengritjes u ndal te figurat e rëndësishme të kombit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Imzot Fan Noli, Dedë Gjo’ Luli, Ismail Kadare, Nënë Tereza etj. Ai foli edhe rreth rëndësisë së diasporës shqiptare në Amerikë në zgjedhjet në Malësi duke dhënë shpresë, zhvillim e guxim Malësisë. Ai u ndal edhe te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke falënderuar luftëtarin e lirisë z.Nikollë Junçaj. Darka festive vazhdoi deri në orët e vona të mbrëmjes me pjesëmarrjen e përfaqësuesve më të shquar të organizatave e shoqatave patriotike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shoqata Malësia e Madhe në New York është një ndër organizatat patriotike më serioze dhe dinjitoze në diasporën shqiptare të Amerikës.

Related posts

Temperaturat do arrijnë mbi 40°C! Anticikloni afrikan pushton Mesdheun Perëndimor

admin

Tunizia ua ndalon hyrjen ligjvënësve të BE-së

admin

12 mijë aktivistë të klimës protestojnë në Berlin: Jepini fund djegies së lëndëve fosile

admin

Leave a Comment