Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore, përkatësisht Programi studimor i Informatikës, me sukses e përmbylli trajnimin njëditor për platformën WordPress. Ky aktivitet u organizua nën udhëheqjen e profesorëve, Prof. Dr. Florim Idrizi dhe Prof. Dr. Florinda Imeri. Ky trajnim në fokus pati rritjen e njohurive për platformën WordPress, e cila përdoret për krijimin e ueb faqeve. Gjatë trajnimit, nxënësit e shkollave të mesme i mësuan bazat e platformës WordPress, duke përfshirë mënyrën e instalimit dhe konfigurimit të një faqe interneti, personalizimin e pamjes së saj me tema dhe shtojca, krijimin dhe publikimin e përmbajtjes dhe optimizimin e faqes së internetit për linjat e kërkimit. Me këta trajnime, nxënësit e shkollave të mesme, jo vetëm që mund ta përmirësojnë prezencën e tyre në internet, por edhe potencialisht të ndjekin karriera në zhvillimin e uebit ose marketingun digjital. Trajnimi ofroi gjithashtu një mundësi që nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja dhe të eksplorojnë interesat e tyre në teknologji.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe prorektorët, Prof. Dr. Agon Memeti dhe Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Me fjalë rasti, maturantëve që morën pjesë në këtë trajnim iu drejtua Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai u shpreh se, përmes këtij aktiviteti pjesëmarrësit do të kenë mundësi që nga afër t’i shohin kushtet që i posedon Universiteti ynë, si dhe të njihen edhe me stafin akademik me përgatitjen e duhur profesionale. “Është shumë e rëndësishme që vendimet jetësore t’i merrni në mënyrën e duhur, sepse pikërisht zgjedhja e profesionit tuaj është njëri prej vendimeve më të rëndësishme jetësore, që do ta shihni këtë në të ardhmen. Zgjedhja e duhur edhe juve do t’u bënte që të ndjeheni të suksesshëm, megjithatë do të jetë kontribut edhe për shoqërinë. Një filozof grek thotë, që zgjedhja e profesionit të duhur është një kontribut i madh për shoqërinë, dhe nëse të gjithë ne e përzgjedhim atë për të cilën kemi prirje natyrore, i kontribuojmë edhe shoqërisë edhe vetes sonë. Kështu që, uroj sot të kaloni sa më mirë dhe të merrni atë për të cilën keni supozuar se do ta merrni këtu dhe gjithsesi se edhe të shihni se si punohet në Universitetin tonë. Më vjen mirë që ka maturantë nga të gjitha qytetet dhe është ruajtur diversiteti të cilin e ofron Universiteti, sepse pikërisht kjo është njëra prej pasurive më të mëdha. Mos harroni që Universiteti ynë është institucioni që në vazhdimësi e ka kultivuar këtë proces, është një universitet që studentëve u jep hapësirë. Ne të gjithë që jemi këtu, shumica kemi kaluar në këto banka dhe ju do të jeni ata të parët të cilët do të keni prioritet edhe si staf akademik kur t’i përfundoni studimet”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
WordPress është një sistem për menaxhim të përmbajtjes (CMS), i përdorur nga shumë individë dhe biznese për të krijuar dhe menaxhuar faqet e tyre të internetit. Është një mjet i fuqishëm që lejon përdoruesit të krijojnë faqe interneti me pamje profesionale pa kërkuar njohuri të gjera kodimi.
Ky trajnim i organizuar nga Programi studimor i Informatikës, do jetë një përvojë shumë e dobishme për nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht për të interesuarit për zhvillimin e ueb-it ose marketingut digjital.