Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi së fundmi ka debutuar në opera në Paris.
Ajo me anë të një postimi në Facebook, ndau disa nga shkrimet e shtypit francez në lidhje me paraqitjen e saj.
Mediumi francez De La Cour Au Jardin e cilësoi Kajtazin si jashtëzakonisht bindëse në portretizimin e personazhit Micaela, me një vokal të fuqishëm e të mrekullueshëm.
“Micaela është sopranoja e shquar kosovare Elbenita Kajtazi, e cila po debuton në Opéra comique. Me një teknikë vokale të mrekullueshme dhe të paarritshme , një delikatesë të pamohueshme në timbër dhe një mjeshtëri të bukur në fuqin vokale. Ajo ishte jashtzakonisht bindëse në portretizimin e personazhit të brishtë, e paraqitur si një dashnore e pakënaqur e brigadierit”, ka shkruar mediumi De La Cour Au.
Edhe Forum Opera pati lëvdata për paraqitjen e Kajtazit, duke e cilësuar debutimin e saj si veçanërisht të shquar.
“Elbenita Kajtazi portretizon një Micaela të vendosur, e cila nuk heziton të puthë në buzë Don José në fund të duetit të tyre. Sopranoja kosovare bëri një debutim veçanërisht të shquar në Opéra-Comique. Aria e saj “Unë them se asgjë nuk më tremb”, interpretuar me ndjeshmëri të madhe dhe një zë të kthjellët me nota të larta rrezatuese, i dha asaj një duartrokitje të madhe nga publiku”, ka shkruar Forum Opera.
Mediumi France Info tha se sopranoja kosovare e shfaqi personazhin Micaela në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Një përmendje të veçantë meriton Elbenita Kajtazi e cila mishëron një Micaela jashtëzakonisht prekëse, të dashur dhe shumë të guximshme. Sopranoja kosovare u duartrokit gjatë në aktin e tretë, kur me zërin e saj të kristaltë arrin të bindë Don José, një ushtar dezertor i dashuruar marrëzisht pas Carmen, që ta ndjekë te nëna e saj që po vdes”, ka shkruar France Info.