Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, që është njëri nga eksponentët kryesor të fraksionit brenda kësaj partie “Grupi i Zjarrit”, është parë sot bashkë me kryetarin e partisë “Alternativa”, në ceremoninë për inaugurimin e rrugës “Ibrahim Rugova” në Shkup, ku ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan gazeta LAJM. Në këtë cerenomi nuk është parë asnjë ministër i BDI-së dhe ASH-së.
Izet Mexhiti, i cili është kritikues i ashpër i punës së ministrave të BDI-së, gjithnjë e më shumë takon përfaqësuesit e opozitës shqiptare.
Kohë më parë ai ka realizuar takim edhe me përfaqësues të Lëvizjes BESA, ndërsa sot bashkërisht me drejtuesin e “Alternativës” mori pjesë në cerenominë e organizuar nga Komuna e Çairit.
Nga ana tjerët, dy drejtuesit e partive opozitare, Bilall Kasami i Besës dhe Afrim Gashi i Alternativës, kanë shtuar thirrjet për krijimin e një fronti opozitar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kundër BDI-së.
Ndonëse akoma nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim, përjashtimi eventual i “Grupit të Zjarrit” nga BDI-ja, pritet t’i rrisë gjasat për bashkëpunimin e opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.