AKTUALE

Në Universitetin e Tetovës u organizuan “Dita e Hapur” dhe “Panairi i Karrierës”

Një numër i konsiderueshëm maturantësh nga qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe gjetiu, sot morën pjesë në “Ditën e hapur”, që u organizua në Universitetin e Tetovës. Interesimi i madh i maturantëve është tregues se Universiteti ynë është institucioni i denjë për ta, për t’i vazhduar studimet, pasi ofron kushte bashkëkohore, duke filluar nga oferta akademike dhe ambientet akademike. Njëkohësisht, sot u mbajt edhe “Panairi i Karrierës”, ku kompani të njohura nga vendi ynë e më gjerë, i prezantuan produktet e tyre.
Në deklaratën e tij për medie, Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibrahim Neziri tha se, sot Universiteti i Tetovës organizon “Ditën e Hapur” me shumë aktivitete të planifikuara nga trembëdhjetë fakultetet tona. “Përpara maturantëve të cilët sot na vizitojnë nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, studentët, stafi akademik e prezantojnë të gjithë ofertën akademike, mënyrën se si realizohet procesi mësimor, laboratorët, sallat e mësimit, me qëllim që maturantët ta qartësojnë sa më mirë orientimin e tyre profesional dhe zhvillimin e karrierës. Falënderojmë shumë edhe shkollat për bashkëpunimin e tyre gjatë prezantimit nëpër shkolla, gjithashtu edhe gjatë ditës së sotme. Këtë vit Universiteti i Tetovës ofron 92 programe studimore në ciklin e parë dhe 106 programe në ciklin e dytë të studimeve, për vitin akademik 2023/2024. Sigurisht që është një vizitë shumë e mirë, të cilën e shihni edhe sot. Ka një numër të konsiderueshëm të maturantëve, të cilët kanë shprehur interesim, që për së afërmi të shohin ofertën akademike dhe programet studimore”, u shpreh Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Ndërsa Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti u shpreh se krahas “Ditës së Hapur” e cila ka kryesisht maturantët për target, Universiteti i Tetovës tashmë tradicionalisht organizon edhe “Panairin e Karrierës”, panair ky i cili u adresohet absolventëve dhe komunitetit të biznesit. “Këto janë edhe dy shtyllat kyçe mbi bazën e së cilës funksionon Universiteti ynë. Ne sot kemi hapur dyert për një numër të konsiderueshëm të kompanive, të cilat në numër total janë diku rreth 35, duke filluar që nga ato kompani nga industritë fondamentale, ato të prodhimit të ushqimeve, të trajnimeve, të gjuhëve të ndryshme, por edhe kompani të tjera vendore në numër të shumtë. Po ashtu, shfrytëzojmë rastin që t’i themi komunitetit të biznesit, që sa herë ka nevojë për resurse humane t’i drejtohen Universitetit të Tetovës. Ne kemi shumë marrëveshje universitare me kompani të ndryshme vendore, të cilat drejtohen në Qendrën për Karrierë të Universitetit tonë. Një numër i konsiderueshëm i absolventëve që përmenda dhe të gjitha kompanitë që kanë partneritet me ne, na ofrojnë përkrahje të vazhdueshme dhe rreth 70 % të studentëve që i mbarojnë studimet në Universitetin tonë punësohen në kompani të ndryshme”, potencoi Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti.
Gjatë këtij aktiviteti, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti bashkë me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe pjesën tjetër të udhëheqësisë i vizituan tendat që ishin të vendosura në hapësirat e Universitetit, teksa në përmbyllje, në shenjë mirënjohje, përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në panair ju ndanë mirënjohje.

Related posts

Ali Ahmeti në Pllasnicë: Jemi përballë pushtetit që zhbën të arriturat e dy dekadave

Gjyla Halili

Selmani: Qeveri monoetnike në Maqedoninë e Veriut është mision i pamundur

Gjyla Halili

Osmani jep lajmin e mirë, që vjen nga Brukseli

Gjyla Halili

Leave a Comment