Edhe pse kampionëve në fuqi të Bundesligës u ka rënë “kurora” përkohësisht, ata mbeten ende në ujëra interesante rreth rikthimit në krye të tabelës dhe titullit të 11-të radhazi në ligën vendëse.
Arsyeja kryesore e kësaj hipoteze përkon me kundërshtarët e ardhshëm të të dyja kampeve në 5 javët e mbetura, shto komponentin e orareve, ku rekordmenët nga Mynihu në pjesën më të madhe të tyre do të zbresin më herët në fushën e blertë dhe marrja e rezultateve pozitive nënkupton presion te rivalët.
Herta e Berlinit është e pozicionuar si kundërshtari i ardhshëm për ekipin e Tuhelit, aty ku fitorja mbetet jetike në këtë moment të sezonit dhe pozitës ku ata janë kapluar në Bundesligë. Dueli do të zhvillohet përballë tifozëve, armë shtesë për të thyer “mallkimin” e rezultateve negative në kuadrin e javës së 30-të.
Kryeqytetasit janë të “parkuar” në vendin e fundit dhe një “ngjallje” karshi kampionëve nuk prezantohet në horizont nga analistët. Më pas udhëtojnë drejt Verderit, edhe këta larg pretendimeve.
Fylkrug me shokë gjenden në vendin e 12-të me 35 pikë, të përhumbur në mes të tabelës. Shalke i sfidon në “Allianz Arena”. “Mbretërorët” janë me një këmbë nga rënia dhe forma aktuale s’jep indicie për të besuar në ndonjë mrekulli.
Raundi i parafundit servir përballje interesante, përfshirë perspektivën e rivalit, Lajpcig. “Demat” renditen në vendin e 5-të me distancë prej dy pikësh nga zona “Champions” (Fraiburg), çka bën të kuptosh se ky konsiderohet si testi i vërtetë në kampin e ekipit më të titulluar në tokën gjermane.
Elementi pozitiv lidhet me “teatrin” ku do të do të zhvillohet sfida, në Mynih. Këlni në transfertë i jep fund rrugëtimit të Bajernit në sezonin 2022- 2023. Përveçse pikëve të plota, atyre u nevojitet qoftë edhe barazim nga verdhezinjtë.
iderit aktualë e nisin marshimin në majë të tabelës ndaj Bohumit, që çel edhe javën e 30-të ligës në transfertë.
Sfida në fjalë merr konotacionin e një derbi të mirëfilltë, evident se çfarë skenash të paparashikueshme mund të atribuohen në rezultatin final, shto faktin se vendësit ndodhen në limitet e mbijetesës dhe fitorja merr më shumë vlera se sa thjesht triumfi në derbi.