KOSOVË

Refuzoni ata që ju kërcënojnë, siguria juaj është e garantuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje serbëve në katër komunat veriore që të dalin në zgjedhje të dielën, duke thënë se siguria e tyre është e garantuar nga autoritetet e Kosovës.

Në një komunikatë të shtunën, Osmani ka shprehur mirëkuptim për serbët që janë kërcënuar e frikësuar javëve të fundit për të mos dalë në zgjedhje, por ka shtuar se autoritetet e Kosovës po bëjnë gjithçka që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme.

“E kuptoj që shumë prej jush keni qenë cak i kërcënimeve dhe frikësimeve që janë bërë javët e fundit nga struktura kriminale me mbështetje të Beogradit, me qëllim që t’ju detyrojnë të hiqni dorë nga zëri dhe fuqia juaj për ta formësuar të ardhmen e komunave tuaja. Megjithatë, dua t’ju siguroj se të gjitha institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe që siguria juaj të jetë e garantuar”, thuhet në komunikatë.

Ajo ka bërë thirrje që serbët e katër komunave veriore t’i refuzojnë kërcënimet dhe shantazhet, dhe sipas saj, t’u japin atyre një mesazh të fortë me daljen në zgjedhje.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të refuzoni ata që vijnë te ju me kërcënime dhe shantazhe. Ju inkurajoj që ta dërgoni një mesazh të fortë dhe të qartë me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhjet lokale të 23 prillit 2023. Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet këtë të diel, nëpërmjet votës së lirë e demokratike. Mbi të gjitha, pjesëmarrja juaj në zgjedhje do t’u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t’ju frikësojnë dhe shtypin, se nuk do të mund t’ju heshtin dhe se zyrtarët e zgjedhur nga ju do t’ju shërbejnë juve dhe interesit të të gjithë qytetarëve të komunës”, thuhet tutje në komunikatën e Presidencës.

Institucionet e Kosovës, sipas Osmanit, do të jenë gjithnjë dhe çdoherë në shërbimin e qytetarëve të vendit.

“Siguria dhe perspektiva juaj është prioritet i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka shtuar Osmani.

Osmani në fund ka bërë thirrje që të shfrytëzohet e drejta për votë, e cila nga ajo është konsideruar si mjeti më i fuqishëm për të vendosur të ardhmen e komunave të tyre.

Zgjedhjet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq pritet të mbahen nesër. Zgjedhjet janë bojkotuar nga Lista Serbe, ndërsa së fundmi nga kandidatura u tërhoq edhe Aleksandar Jabllanoviq. 

Shumica e vendvotimeve do të jenë nëpër kontejnerë, të cilat janë vendosur nga Policia e Kosovës ditëve të fundit. 

Related posts

Tre shqiptarë në Parlamentin e ri të Malit të Zi

admin

Macron konfirmon takimet me Osmanin, Vuçiqin dhe Scholzin në Moldavi

admin

Vrasja e dyfishtë në Dukagjin, ekzekutohen babë e bir

admin

Leave a Comment