KOSOVË

Edhe pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës s’mund të udhëtojnë në këtë shtet të Europës

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper. E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia. Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024. Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera. Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./ REL

Banner

Related posts

Kusari ankohet te Sllavko se Ramushi po i fryn listat e veteranëve, e quan Uranin “idiot” dhe e pyet Sllavkon “a e din bre ti kush është Bekim Haxhiu”

admin

Osmani uron Bullgarinë për Ditën e saj Kombëtare: Jam e kënaqur që shoh bashkëpunimin dypalësh

Gjyla Halili

Haxhiu: Nuk është faji i grave që janë dhunuar seksualisht, paragjykimet ende janë prezentë në shoqëritë tona

Gjyla Halili

Leave a Comment