Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.
Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.
Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.
Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Dëshmitarja e mbrojtur është dëgjuar për më shumë se tri ditë tërësisht në seanca private.
Pas një pauze, në gjykatore do të flas dëshmitari i dytë i prokurorisë, gjithashtu i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun.
Sipas trupit gjykues, ai mban kodin W02652.
E lidhur me këtë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka ngritur një çështje në seancë private.
Ndërsa më vonë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar se e kundërshtojnë një kërkesë të mbrojtjes së Hasim Thaçit dhe për këtë kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë parashtrim.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë parë në sallën ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Thaçi dhe të tjerët, refuzohen si provë disa deklarime të dëshmitarit të prokurorisë
Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka miratuar një mocion të mbrojtjes së Rexhep Selimit lidhur me përjashtimin e disa provave të cilat janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve që paraqitën në aktakuzë. Sipas trupit gjykues pranueshmëria e këtyre provave do të mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.
Në hapjen e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares së mbrojtur, e cila mban kodin W04474.
Ndërsa më pas do të dëgjohet dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) i cili mban W02652.
Për këtë të fundit, mbrojtja e Rexhep Selimit, më 6 prill, kishte dorëzuar kërkesën për përjashtimin e dëshmisë për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë.
Kjo kërkesë kishte marrë edhe mbështetjen e mbrojtjes së Thaçit dhe të Krasniqit.
“Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit W02652 për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë. Mbrojtja e Selimit mendon që incidenti nuk është përkatës dhe vlera provuese zhbëhet nga efekti cenues që ka. Mbrojta e Selimit më tej parashtron se trupi gjykues nuk duhet të pranojë si prova, fillimisht të vlerësohet rëndësia që ka në një fazë të mëvonshme pasi kjo praktikë është konsumuese dhe çorientuese”, ka thënë kryetari i turpit gjykues.
Nga ZPS e kanë kundërshtuar këtë mocion, përmes një parashtrimit të dorëzuar më 12 prill.
“Sa i takon incidentit të dytë, siç përshkruhet në paragrafin 16 të parashtrimit F1438 mbrojtja parashtron se kjo dëshmi nuk ka përputhshmëri dhe nuk duhet të merret për bazë. Mbrojtja e Selimit më tej argumenton se dëshmia është vetëm dytësore, vjen nga burime të pabesueshme dhe duhet parë me shumë kujdes. Së fundmi në paragrafin 23 të parashtrimit F1438 mbrojtja e Selimit kundërshton pranimin e dëshmisë sa u takon dy incidenteve të tjera të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës së aktakuzës. ZPS kundërshton mocionin, argumenton se dëshmia është e pranueshëm sipas rregullës 137 dhe 138 duke marrë parasysh se dëshmia është relevante apo autentike dhe ka vlerë provuese dhe nuk zhbëhet nga efekti cenues”, ka thënë kryegjykatësi Smith.
Trupi gjykues ka rikujtuar se pala që dorëzon materiale apo paraqet prova duhet të demonstrojë se faktet që kërkon të vërtetojë janë përkatëse për çështjen.
“Trupi gjykues vëren se ZPS pretendon në paragrafin 32 të aktakuzës, i akuzuari dhe anëtarët e tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale ndanin një qëllim të përbashkët për të fituar, ushtruar, kontroll në të gjithë Kosovën, ndër të tjera duke ushtruar dhunë ndaj kundërshtareve. Paragrafi 59 i aktakuzës shpjegon aktet e renditura në aktakuzë që tregojnë një fushatë të gjerë të sulmeve kundër kundërshtarëve në të gjithë Kosovën, para, gjatë dhe pas periudhës së aktakuzës. ZPS nuk tregon primafacie relevancën e këtyre incidenteve të cilat i kundërshton mbrojtja e Selimit, këto nuk pretendohen të kenë qenë pjesë e nkp-së të cilat mbulojnë vetëm periudhën e aktakzuës dhe as sulmet e pretenduara që u atribuohen të akuzuarve. Për më tepër asnjë nga këto incidente nuk pretendojnë të kenë qenë pjesë apo të japin prova apo të dëshmojnë që ka pasur sulm sistematik dhe të zgjeruar kundër kundërshtarëve apo të jenë të lidhura materialisht me konfliktin e armatosur i cili paraqitet në aktakuzë”, ka thënë Smith.
Përmes urdhrit gojor, kryetari i trupit gjykues ka miratuar mocionin e mbrojtjes së Selimit duke thënë se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.
“Duket se ka probleme sa i takon mbështetshmërisë, besueshmërisë dhe vlerës provuese të dëshmisë së pritshme të të akuzuarit dhe kjo mund të përfshijë incidentin e parë dhe nuk ka asnjë tregues që i akuzuari është i përfshirë në incidentin e dytë dhe as nuk ka informacion të verifikueshëm që UÇK ka qenë e përfshirë në këto incidente. Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve dhe ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit, nuk lejohet ZPS të bëjë pyetje për incidentet e përshkuara në paragrafin 31623 të materialit. Sa i takon dëshmitarit Ë02652 duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi palët duhet të dorëzojnë versionet e redaktuara bashkë me parashtrimet e tyre deri të hënën 24 prill 2023”, ka thënë kryetari i turpit gjykues derisa e ka mbyllur urdhrin me gojë.
Pas këtij urdhri, në seancë private po vazhdon dëgjimi i dëshmitares së parë të ZPS-së, pas së cilës do të vijohet me dëshmitarin tjetër të mbrojtur i cili mban kodin W02652.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.
Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Nis paraqitja e provave të reja kundër ish-krerëve të UÇK-së
Ka filluar në Gjykatën Speciale procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.
Seanca ka kaluar në private.
Seanca LIVE
Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-ës
Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.
Në faqen zyrtare të DHSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.
Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.
Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media