Kosova nuk mund të kushtëzohet nga Serbia për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – do të mbahen më 23 prill.
“Nuk mund të kushtëzohemi prej (presidenit të Serbisë, Alleksandar) Vuçiqit, prej beogradit, prej Serbisë, që ata të vendosin se kur mundtë ketë zgjedhje ose jo në Kosovë. Zgjedhjet janë caktuar. Një kompromis i mëhershëm ka ndodhur dhe zgjedhjet janë shtyrë një herë. Ato janë shtyrë me kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi marrë garancinë prej tyre se nuk do të shtyhen më shumë se një herë”, tha Konjufca.
Zgjedhjet fillimisht ishin paraparë të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.
Konjufca theksoi se partitë politike serbe që kanë vendosur të garojnë në zgjedhjet , tashmë janë certifikuar, përveç Listës Serbe, e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje.
Ai vlerësoi mbështetjen e vendeve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) për mbajtjen e zgjedhjeve më 23 prill.
“Unë mendoj që ka qenë shumë pozitiv qëndrimi i QUINT-it dhe i bashkësisë ndërkombëtare që pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, pa pjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet të cilat paralajmëruar me 23 prill nuk ka formim të Asociacionit (të komunave me shumicë serbe). Mendoj që Kosova nuk ka fare nevojë fare që të lëvizë, para se të ketë zhvillime në këtë drejtim”, theksoi Konjufca.
Ai shtoi se Kosova do t’i zbatojë të gjitha obligimet kushtetuese dhe institucionale, në mënyrë paqësore.
Vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.