Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, është pajtuar që të furnizojë me armë Kievin dhe veçse ka dërguar armë atje, thuhet në dokumentet e klasifikuara të Pentagonit, ka raportuar Reuters.
Dokumenti, që është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara që janë publikuar në internet javëve të fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.
I titulluar” Evropa, përgjigja ndaj konfliktit që po vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e një grafiku rendit “qëndrimet” e 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.
Në këtë grafik thuhet se Serbia ka refuzuar që të ofrojë trajnim për forcat ukrainase, por është zotuar për t’i dërguar ndihmë vdekjeprurëse ose veçse i ka dërguar furnizime. Në dokument po ashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i dërguar armë Ukrainës në të ardhmen.
Dokumenti është shënjuar me “sekret” dhe “NOFORN”, duke ndaluar shpërndarjen e tij në shërbimet e huaja të inteligjencës dhe tek ushtritë. Dokumenti mban datën 2 mars dhe është i stampuar me vulën e zyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtij dokumenti.
Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Ambasada e Ukrainës nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Pentagoni po ashtu nuk është përgjigjur menjëherë në pyetjet lidhur me referencat që bëhen në këtë dokument për Serbinë, dhe më herët po ashtu ka refuzuar të komentojë çdo dokument që rrjedh në publik.
Ministri serb i Mbrojtjes hedh poshtë pretendimet për armatosjen e Ukrainës
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se “Serbia nuk i ka shitur, as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, e as shteteve që e rrethojnë atë konflikt”.
“Qëllimi i dikujt është padyshim që të destabilizojë shtetin tonë dhe ta tërheqë atë në një konflikt, në të cilin ne nuk do të marrim pjesë. Ne vazhdimisht qëndrojmë në politikën që kemi vendosur”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Ai tha se edhe më herët Serbia kishte hedhur poshtë pretendimet se i shet armë Ukrainës.
“Ne i kemi mohuar këto gënjeshtra për më shumë se dhjetë herë, dhe ja ku jemi, po e bëjmë përsëri. Serbia nuk i ka shitur, e as nuk do t’i shesë armë palës ukrainase apo ruse, as shteteve që e rrethojnë atë konflikt”, tha Vuçeviq.
Ministri serb po ashtu tha se Serbia u shet armë palëve të treta, që sipas tij, janë larg konfliktit në Ukrainë, dhe nuk kanë lidhje me të.
“Gjithmonë ekziston mundësia që në mënyrë magjike të gjendet ndonjë armë në territorin e konfliktit, por kjo nuk ka të bëjë absolutisht me Serbinë. Kjo është pyetje për ato shtete që nuk respektojnë normat ndërkombëtare, klauzolat e kontratave dhe praktikat e të bërit biznes. E përsëris, Serbia nuk ka dërguar armë në Ukrainë dhe gjithçka që publikohet për këtë temë janë të pavërteta”, tha Vuçeviq.
Qeveria e Vuçiqit ka shprehur neutralitet në luftën në Ukrainë, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të shtetit të tij me Rusinë.
“Nëse dokumenti është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për t’i dërguar armë Ukrainës”, tha Janusz Bugajski, ekspert për Evropën Lindore në Fondacionin Jamestown.
Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke hetuar dokumentet që kanë dalë në publik, ndërkaq Pentagoni po vlerëson dëmin që i është shkaktuar sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Në grafikun e Pentagonit përgjigjet ndaj kërkesave për ndihmë të bëra nga Ukraina janë ndarë në katër kategori: shtetet që janë zotuar të ofrojnë trajnim dhe ndihmë vdekjeprurëse; shtetet që veçse kanë ofruar trajnim, ndihmë vdekjeprurëse apo të dyja; shtetet që kanë aftësi ushtarake dhe vullnet politike “për të ofruar në të ardhmen ndihmë vdekjeprurëse”.
Austria dhe Malta janë të vetmet shtetet që janë shënjuar me “jo” në të katër këto kategori.
Zbulimi i këtij grafiku vjen vetëm një muaj pasi dokumentet u publikuan në një kanal pro Rusisë në aplikacionin Telegram, dhe supozohet se dokumentet tregojnë për dërgesën e bërë nga një prodhues serb i raketave tokë-tokë të llojit Grad 122 milimetërsh. Kjo dërgesë supozohet se u dërgua në Kiev në nëntor. Dokumenti po ashtu përfshin edhe një manifest të dërgesës dhe një certifikatë të përdoruesit përfundimtar që thuhet se është Qeveria ukrainase.
Moska tha në mars se i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar lidhur me dërgesat e pretenduara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS që citoi zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Prodhuesi serb i armëve, Krushik, mohoi se ka ofruar raketa apo armë të tjera për Ukrainën. Vuçiq i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtra”.
“Nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai më 5 mars, teksa po vizitonte Katarin.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë shkurtin e vitit të kaluar, Vuçiq ka tentuar të balancojë raportet e ngushta që ka me Moskën dhe qëllimin e tij që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Por, Serbia është shteti i vetëm mes 44 shteteve të Evropës që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.