Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se një parti e cila nuk mbush dot gropat e oborrit të saj, nuk mund të bëjë dot asnjë punë në Tiranë.
“Për të gjithë ata që i sulen shërbimit të pastrimit të Tiranës dhe duan që Tirana të kthehet në kohën e zhulit, e për të gjithë ata që thonë se do i bëjmë të gjithë këto gjëra pa lekë, kam vetëm një gjë për t’u thënë: Shikoni si i kanë selitë e partive tëi tyre! Kaloni përpara selisë së PD-së dhe shikoni si i parkojnë makinat; do kuptoni se ata që nuk dinë të parkojnë tek shtëpia e tyre, nuk rregullojnë dot parkimin në Tiranë. Shikoni si e kanë zënë gjithnjë korsinë e autobusëve, si i vendosin Range Rover-at kalapiç njëra mbi tjetrën, pastaj shikoni asfaltin në oborrin e PD! Plot me gropa! A thua se është selia e një partie në Ukrainë, që sapo është bombarduar. Një parti që nuk mbush dot gropat e oborrit të saj, do mbushë gropat dhe do asfaltojë Tiranën? Shikoni sa ndërtime pa leje kanë në oborrin e tyre. Kanë tre kafe pa leje, në oborr të tyre. Ata që nuk pastrojnë dot oborrin e tyre nga inertet, nga ndërtimet pa leje, nga trastat, nga hunjtë – ende nuk kanë pastruar hunjtë e sherrit të fundit, kur dogjën partitë e tyre – ata që djegin shtëpinë e tyre, do rregullojnë shtëpitë tona?! Ata që nuk pastrojnë dot plehrat e oborrit të tyre, do pastrojnë Tiranën tonë? Ata që nuk dinë të parkojnë makinat e tyre, do rregullojnë parkimin në Tiranë?! Ata që nuk i hedhin dot një kovë asfalt? Quaje si të duash, elektoral, demokratik, liri-demokraci, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa’, por ata që nuk mbushin dot gropat e tyre, të një oborri partie, do rregullojnë 1250 kilometra katrorë të Tiranës?! Ndaj, motra e vëllezër, kokën lart, se ka vetëm një grup, vetëm një skuadër, ka vetëm një ekip i Bashkisë së Tiranës që mund të pastrojë qytetin, që mund të rregullojë rrugët, të sistemojë trafikun dhe parkimin dhe që mund ta bëjë gjithë këtë pa qenë të idhnuar!”, u shpreh Veliaj.
Top Channel