Rreth 30 persona të moshës nën 14 vjeçare në Tetovë e rrethinë, janë regjistruar si përdorues të substancave narkotike. Nga kjo shifër, 6 janë vajza të evidentuara madje si përdoruese kokainës. Sipas Entit për punë sociale, numri i përdoruesve të lëndëve narkotike në dy vitet e fundit, ka shënuar rritje enorme. Të dhënat e televizionit Alsat flasin për numër dyfish më të lartë të përdoruesve të lëndëve narkotike pasi shumë prej tyre nuk kanë të evidentuar nga institucionet përkatëse. Sipas psikologes Cvetkovska, faji për këtë rritje të numrit të fëmijëve që përdorin substancat narkotike, bie kryesisht mbi prindërit të cilët më tepër përkushtohen ndaj punës se sa ndaj fëmijëve të tyre.
“Në dy tre vitet e fundit numri është rritur, jo i të varurve por të atyre që e provojnë sepse për të qenë të varur duhet më gjatë të jenë përdorues. Tani kufiri i moshës së atyre që e përdorin është zvogëluar. Nëse para dhjetë viteve provues kanë qenë fëmijët e shkollave të mesme apo të moshës mbi 14 vjeç, tani kjo moshë është shumë më e vogël, kemi nxënës të moshën nën 12 vjeçare. Në këtë kohë të tranzicionit prindërit vërtetë janë në gjendje të vështirë. Sikur nuk kanë kohë për fëmijët e tyre. Një palë merren me skamjen pra ku të gjejnë para për ti rritur për ti paguar faturat dhe kjo sikur e harrojnë një të vërtetë shumë të madhe”, tha Olivera Cvetkovska, psikologe në Entin për punë sociale.
Psikologët rekomandojnë takime sa më të shpeshta të prindërve, me kujdestarët e klasave por edhe pedagogët e shkollave. Por, sa realisht ndodh kjo, dhe sa prindërit kanë interesim për tu takuar me këto organe të shkollës, për të biseduar për fëmijën e tyre. Pedagogeja e shkollës së mesme të mjekësisë Zira Murati thotë se interesimi i prindërve për fëmijët e tyre është shumë i ulët.
“Shumica e prindërve apo rreth 70 për qind e prindërve kanë një interesim shumë të vogël dhe në shkollë vijnë gjithnjë pas ndonjë ndodhie, zënkë apo diç tjetër. Nuk interesohen për suksesin e nxënësve, por ka edhe prindër që kanë interesim dhe mendojnë se gjithçka është tek vlerësimi i nxënësit dhe në anën tjetër nuk shohin rrjedhën së çka realisht ndodh me fëmijën e tyre. Prindërit si zakonisht vijnë vetëm në mbledhje prindore, ku ka raste që edhe në mbledhje nuk vijnë”, u shpreh Zira Murati, pedagoge në Sh. M. të Mjekësisë.
Gjatë vitit të shkuar, Sektori i punëve të brendshme të Tetovës, ka regjistruar gjithsej 93 vepra penale për prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve.
“Sa i përket veprës penale prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve dhe pre kursorëve, në SPB Tetovë gjatë vitit 2022, janë regjistruar gjithsej 93 vepra penale për të cilat, ne si sektor deri në prokurori kemi dorëzuar 87 kallëzime penale kundër 111 shkelësve”, deklaroi Fatmir Rexhepi., zëdhënës i SPB Tetovë.
Nga Sektori i punëve të brendshme i Tetovës, thonë se po bëjnë gjithçka për luftimin e kësaj dukurie dhe se çdo ditë ky sektor ndalon të paktën një shitës apo përdorues të drogës.