Maqedonia e Veriut që nga pavarësia ka mbajtur 10 palë zgjedhjesh parlamentare, vitin që vjen do të zhvillohen zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare. Ndërkaq, zgjedhjet presidenciale që do të mbahen gjithashtu vitin që vjen janë të gjashtat në vend që pas pavarësisë së vendit. Ajo që po flitet në opinion është fakti që kemi të bëjmë me zgjedhje të rregullta si parlamentare ashtu edhe presidenciale dhe që të dy palë zgjedhjet do të mbahen vitin që vjen, por nuk dihet nëse do të lejojnë afatet ligjore që qytetarët në të njëjtën ditë votimi të kenë mundësi të votojnë edhe për zgjedhjet parlamentare edhe për presidentin e vendit. Zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të parakohshme dhe janë mbajtur më 15 korrik të vitit 2020, ndërkaq ato presidenciale janë mbajtur më 27 prill 2019, kujtojmë që mandati presidentit është pesë vjeçar. Dhe, sipas këtyre datave nënkuptohet se bie ndesh dhe pamundësohet që në të njëjtën ditë të mbahen së bashku dy palë zgjedhjet. Pasi, në fund të prillit veçse duhet të jenë të përfunduara zgjedhjet presidenciale, ndërkaq ato parlamentare të mbahen në fund të korrikut. Përpos, kësaj në momentin që votohet për zgjedhje parlamentare me shumë gjasë vendi do të jetë me qeveri teknike, sipas rregullores 100 ditë para zgjedhjeve. Maqedonia e Veriut në historikun e saj ka mbajtur edhe zgjedhje presidenciale në ditën e njëjtë me raundin e dytë të atyre parlamentare, ka qenë fundi prillit të viti 2014, kur zgjedhjet parlamentare ishin të parakohshme. Viti 2024 është vit i zgjedhjeve, mbetet të shihet nëse do të mbahen bashkë dy palë zgjedhjet, a frikësohet LSDM-ja për këtë gjë?
A lejojnë afatet ligjore që njëkohësisht vitin e ardhshëm të kemi zgjedhje presidenciale dhe parlamentare?
Politkologu, Bllagojçe Atanasoski, në emisionin “360 Gradë” në Alsat deklaroi se afatet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare nuk përputhen, që të mund në të njëjtën kohë të kemi zgjedhje për shumicë parlamentare dhe për president të shtetit.
“Afatet e përcaktuara me ligj shkojnë në drejtim që vitin e ardhshëm, në rast se mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, definitivisht ne do të kemi veçmas zgjedhje presidenciale dhe veçmas parlamentare”, tha Atanasoski.
Kjo tregon qartazi që së pari do të mbahen zgjedhjet presidenciale në fundin e muajit prill të vitit që vjen, që me çrast do të zgjidhet një president apo presidente në krye të vendit. E dy muaj më vonë do të zgjidhet edhe kryeministri dhe qeveria e re.
Gjatë zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në vend do të kemi qeveri teknike, ku sipas premtimit dhe marrëveshjes së realizuar mes partnerëve të koalicionit LSDM – BDI me qeverinë teknike do të udhëheq kryeministër shqiptarë, i cili sipas historikut të vendit do të jetë i pari në vend.
Maqedonia e Veriut më herët ka mbajtur në të njëjtën ditë edhe zgjedhje parlamentare edhe presidenciale –
27 prilli i vitit 2014 ka qenë koha kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur në të njëjtën ditë. Kanë qenë zgjedhjet e pesta presidenciale pas pavarësisë së vendit, ku në balotazh ishin dy kandidatët për president Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM. Në këto zgjedhje fitoi GJorgje Ivanov.
Në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishin 14 lista konkurruese prej të cilave 5 koalicione dhe 9 parti politike të maqedonasve dhe shqiptarëve, që garonin për 123 vende deputetësh në Parlamentin e Vendit. Në këto zgjedhje fitoi koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski, që fituan 61 mandate.
A po frikësohet LSDM-ja që në të njëjtën ditë të mbahen dy palë zgjedhjet?
Zgjedhjet e fundit lokale në vend nuk ishin vetëm lokale, pasi shkaktuan ndryshime drastike në skenën politike. Partitë në pushtet “u zhveshën” nga pushteti i maskuar dhe pësuan humbje historike. LSDM humbi aq shumë komuna saqë humbi prej skenës edhe “lideri revolucionar” Zaev, ndërkaq nga BDI pësuan humbje historike në qytetin e selisë së partisë në Tetovë, ndërsa Gostivarin e kishte të humbur edhe nga zgjedhjet e kaluara. Prandaj partia më e madhe shqiptare në vend e me kohë më të gjatë në pushtet, nuk arriti të fitojë në komunat më të populluara me shqiptarë.
VMRO-DPMNE partia opozitare e udhëhequr nga pasuesi i Gruveskit, Hristijan Mickovski, është rikthyer fuqishëm në skenën politike. Në zgjedhjet lokale më 31 tetor të vitit 2021 fitoi të paktën gjysmën e 80 komunave të vendit, ndërsa LSDM partia në pushtet fitoi më pak se 20 komuna. Rezultati shënon një kthesë të madhe në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, pasi katër vite më parë, socialdemokratët kishin fituar 57 komuna dhe VMRO-DPMNE vetëm pesë.
Kjo mbase nuk është aspak e mirë për demokracinë e vendit që një parti nacionaliste dhe anti-shqiptare të gëzojë popullaritet të lartë, sepse me ardhjen në pushtet të kësaj partie rrugëtimi i vendit drejt BE-së mund të ndalet. Por, është vetëm një argument nga i cili kuptohet që mund të ekzistojë një lloj frike për partinë në pushtet LSDM-në që të mbahen përnjëherë dy palë zgjedhjet. Mes tjerash zgjedhjet presidenciale do të jenë një test për atë se si qëndrojnë partitë politike në terren.
Kujtojmë, që në zgjedhjet e fundit presidenciale ato të 27 prillit 2019, fitoi kandidati konsensual, Stevo Pendarvoski, i mbështetur edhe nga BDI dhe Alternativa me 323.892 vota. Në garë ishin edhe Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE kishte 319.364 vota, ndërsa kandidati i vetëm shqiptar Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, kishte 79.921 vota.
Ndërkaq, në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit 2020, koalicioni mundemi LSDM fituan 46 deputetë, VMRO 44, BDI 15, Koalicioni ASH-AAA fituan 12 deputetë, e Majta 2 deputetë, dhe PDSH-ja vetëm një deputetë.