SHOWBIZ

Ylli belg i muzikës Stromae anulon koncertet për arsye shëndetësore (fotot)

Këngëtari belg Stromae ka njoftuar sot anulimin e të gjithë impenjimeve të tij muzikore deri të paktën në qershor për arsye shëndetësore.

“Kam kuptuar se gjendja ime aktuale shëndetësore nuk më lejon për momentin të kryej takimet që kam lënë me ju”, thuhej në një deklaratë të këngëtarit për fansat e tij, të publikuar në rrjetet sociale.

“Me keqardhje ndaj lajmin me ju por duhet të pranoj kufijtë e mi. Jam i rrethuar nga familjarët që më ndihmojnë të përmirësohem, që të rinis të performoj”.

Anulimet e njoftuara prekin të paktën nëntë performanca në Evropë, duke përfshirë vende si Amsterdam, Londër, Berlin e Romë.

Stromae nuk specifikonte arsyet shëndetësore që çuan në anulimet. 38 vjeçari ka thënë më parë se ka kaluar episode depresioni.

Në deklaratë shtohej: “Shpresoj t’ju jap lajme më pozitive sa më shpejt. Mezi pres të takohem me ju dhe të rinis shfaqjet bashkë me grupin tim, që më ka mbështetur gjatë gjithë këtyre viteve”.

Reperi i njohur frëngjisht-folës ka gjetur sukses në të gjithë botën me muzikën e tij të stilit të veçantë e të ritmeve të përziera që e ngritën në majë të dëgjimeve në vitet 2010-të.