Në Shqipëri raportohen 600-700 incidente kibernetike në vit, si në sektorin shtetëror dhe atë privat, por emigrimi i lartë i të rinjve dhe mungesa e burimeve njerëzore të afta e kanë lënë vendin pa një mbrojtje të mjaftueshme evidentoi një raport Pricewater -house -Coopers (PwC) një markë ndërkombëtare shërbimesh profesionale, në lidhje me sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.
PwC raportoi se mori informacion për incidentet kibernetike në dy kanale.
I pari përfshin raportet zyrtare nga infrastrukturat e informacionit kritik (CII), të cilat publikojnë 20-30 raporte në vit.
I dyti i referohet identifikimit të rreziqeve dhe incidenteve nga burime të ndryshme të inteligjencës së kërcënimeve, që rezulton në zbulimin e 600 – 700 incidenteve në vit. Për sa u përket llojeve të sulmeve, Shqipëria duket se pasqyron tendencat e përgjithshme globale.
“Të dyja palët e interesuara të sektorit publik dhe privat të intervistuar për qëllimin e këtij raporti citojnë spam, malware, phishing dhe inxhinieri sociale si sulmet më të zakonshme” thotë raporti. Mashtrimi i email-eve ka qenë gjithashtu në rritje vitin më 2021, duke përdorur gjuhën shqipe standarde në mashtrimet nga emaili.
Pandemia globale çoi në zhvillime të vrullshme teknologjike si rrjedhojë e punës në distancë dhe transaksioneve online pa ndonjë përvojë paraprake në sigurinë kibernetike.
Sulmet kibernetike të orientuara nga biznesi, shenjestrimi i kompanive dhe përdoruesve fundorë janë rritur pas pandemisë në Shqipëri. Nga ana tjetër, sulmet janë sofistikuar. Tani grupet e sulmit nuk janë amatorë, por të organizuar.
Raporti thotë se, procesi i digjitalizimit në Shqipëri shihet si një nga rreziqet më të mëdha të mundshme të sigurisë kibernetike në të ardhmen. Palët e intervistuara në Shqipëri pohuan objektivat e sulmeve janë të shumtë dhe kryesisht të bazuar në identitetet (d.m.th. të fokusuar mbi të dhënat personale).
Shqipëria dhe në përgjithësi Ballkanit Perëndimor përballet me kapacitete të kufizuara, veçanërisht në sektorin publik. Ekspertët në Shqipëri kanë argumentuar se situata është më alarmante krahasuar me Europën Perëndimore për shkak të flukseve të emigrimit të profesionistëve të drejt tregjeve të BE-së.
Për t’iu përgjigjur rreziqeve të ardhshme kibernetike, të intervistuarit argumentojnë se, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të zhvillojnë më tej kapacitetet e tyre për të njohur kërcënimet dhe duhet të investojë më shumë si në njerëz ashtu edhe në teknologji.
Në një afat më të gjatë duhet të ofrohet edukim adekuat për sigurinë kibernetike, sidomos brezave të rinj, për të siguruar kapacitete për të ardhmen.
Aktualisht, të intervistuarit përmendin mungesën e investimeve në edukimin e së ardhmes dhe rekrutimin e profesionistëve ekzistues për të mbështetur proceset e digjitalizimit.
Në terma afatmesëm, kjo nënkupton adoptimin e një përqasjeje sektoriale për forcimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. /MONITOR