Në konferencën e përbashkët me përfaqësuesit e Bankës Botërore në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tha se rritja e pagave që është vendosur nga qeveria, nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit, dhe cënimin e stabilitetit makroekonomik.
Rama tha se të ardhurat për këtë do të gjenden në rritjen e eksporteve, dhe stabilitetin që kanë dhënë disa sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Teksa u ndal te largimet e shqiptarëve, Rama tha se ky është një fenomen global, dhe të njëjtën shqetësim ndajnë dhe rajonet më të pasura të Italisë, ku të ardhurat janë shumë më të larta në raport me Shqipërinë.
Sipas Ramës në vitin 2022 është vërejtur një numër i lartë i kthimeve të shqiprtarëve në vend, edhe pse ende nuk mund të flitet për shifra të njëjta me ato të largimeve në të njëjtin vit.
Edi Rama: Ne nuk do të marrim borxh për të rritur pagat! Do të rrisim pagat dhe do të ulim borxhin, kemi ecur konform stabilitetit makroekonomik. Rritja e pagave sot është një domosdoshmëri e mundshme, sepse kemi arritur rezultate domethënëse në procesin e rritjes së bazës, se ku rriten pagat.
Shifrat që ju dhashë nga të ardhurat, janë arsye se pse rriten pagat, nga turizmi nga eksportet. Është një rritje që është shumë e lartë në raport me të gjitha rritjet e bëra në të shkuarën, por është një rritje e kalkuluar dhe e llogaritur.
Sa i takon këngës së ikjes, ishim në Verona për Panairin e Verës, që është rajoni më i pasur i Italisë, dhe që ka 5 milionë banorë, dhe 600 mijë ndërmarrje dhe kemi pasur një darkë pune me guvernatorin, dhe e di se cili ishte shqetësimi më i madh i tij? Largimi i mjekëve, largimi i specialistëve të nivelit më të lartë! Atëherë pse ikin mjekët nga rajoni më i pasur i Italisë, se ka korrupsion?
Ikin se kjo është koha ku jetojmë, se të gjitha produktet e globalizmit, që vijnë nga qendrat e pasura, arrijnë në zgëqen më të humbur, të vendit më të pazhvilluar, dhe e ngrejnë atë të riun që jeton atje. Koha që jetojmë e bën që njerëzit të ndjekin aspiratat, dhe të shkojnë në vendin ku merr të ardhura më të larta.
Ne do të bëjmë gjithçka është e mundur për progresin, rritja e pagave që ne po bëjmë do të ndihmojë, por nuk do ta frenojë trendin e globalizmit. Thuhen shifra që e bëjnë atë 7×7 42 një algjebër, në 2022 ne kemi pasur numrin më të lartë të kthimeve në raport me çdo vit më parë.
Nuk kemi pse të habitemi, por të ulim kokën dhe të punojmë sa më shumë.