Socialistët i kërkuan Prokurorisë të nisë pa humbur kohë hetimet për faktet e publikuara në Top Channel ku deputetja e Partisë së Lirisë njëherësh ish-kryetare e LSI-së Monika Kryemadhi, rezulton të ketë përfituar para nga biznesmenë rus të naftës.
“Në emër të shumicës parlamentare, ne i bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese të fillojnë urgjentisht hetimi mbi këto pagesa te dyshimta. Zonja Kryemadhi mund te heshtë por jo Prokuroria. Prokuroria nuk mund të heshte sepse është cenuar siguria kombëtare dhe gjithashtu Shqipëria është njollosur me aleatët për të cilët ne po mbrojmë demokracinë europiane në këtë beteje të madhe Europiane”.
Duke i kujtuar shembuj sesi politikanë të akuzuar për lidhje ruse kanë dhënë menjëherë dorëheqjen, Toni Gogu, në emër te Partisë Socialiste i drejtoi një seri me pyetje Monika Kryemadhit.
“Përse nuk i ka deklaruar këto pagesa, këto përfitime, këto llogari offshore? Cfarë lidhje ka zonja Kryemadhi me oligarkët rus te cilët janë sponsor të partisë së Putin? Si mundet bashkëshortja e ish Presidentit te ketë llogari offshore? Si mundet të pranosh pagesa nga ata të cilët minojnë demokracinë në vendet europiane që sot janë në një sulm frontal ndaj demokracive ne vendet perëndimore”.
Të majtët presin përgjigje edhe për udhëtimet e ish kryetares se LSI-së të cilat përkojnë me kohën e veprimeve të këtyre llogarive.
“Mediat kanë publikuar që në 17 korrik 2017 zonja Kryemadhi ka lëvizur në këmbë në pikën kufitare te Qafë Botës dhe të nesërmen me 18 korrik nga llogaria e saj ne Zyrih kalojnë 10 mijë dollarë në llogari të biznesmenit rus”.
Top Channel ka publikuar dokumente autentike shoqëruar më fakte konkrete se si një nga politikanet kryesore në vend, në vitin 2017 ka kryer veprime bankare me kompani offshore të lidhura me Kremlinin. Pas thirrjes së shumicës socialiste ndaj organeve ligjzbatuese, tashmë topi është në fushën e Prokurorisë së Posaçme SPAK që të nisë verifikimet.
Top Channel