Edhe pse u bënë disa vite që është tërhequr nga skena, Rezarta Shkurta vazhdon të mbetet një nga vajzat më të komentuara në vend.
Bukuroshja durrsake, e cila ka “braktisur” prej kohësh mikrofonin dhe penelat për t’u zhytur në një tjetër dimension të artit, atë të fotografisë, është gjithmonë e pranishme në studio televizive, shtypin e shkruar, por edhe portale. E për këtë duhet të ”falënderojë” a ”fajësojë” stilin e saj të jetesës, projektet e bukura që realizon, udhëtimet e shumta, por edhe deklaratat e herëpashershme për familjen Hoxha.
Ditën e sotme ajo ka ndarë me ndjekësit e saj në një lajm shumë të bukur, ndoshta më të bukurin për një grua: artistja do të bëhet mama për herë të dytë. “Familja jonë ka një surprizë“, ka shkruar ajo krah një fotoje të publikuar në “Instastory” ku bën të ditur se është në pritje të një bebeje, duke mos treguar asgjë për gjininë apo se kur pritet të vijë në jetë.