AKTUALE

U përurua libri “Ato gdhendin dhimbjen”-15 rrëfime nënash zemërshpuara

Në përcjellje të një filmi dokumentar e me tingujt e muzikës së interpretuar nga profesoresha Ermira Lefort, në sallën e kongreseve “Allresto” të Bernës, me emocione të përziera u bë përurimi i librit “Ato gdhendin dhimbjen” të autores Alketa Gashi – Fazliu.

Në libër janë përmbledhur 15 rrëfime nënash zemërshpuara, që kur i lexon apo i dëgjon këto rrëfime shpojnë çdo zemër njeriu që në një mënyrë a tjetër është i lidhur me ngjarjet makabre në luftën e Kosovës 1998 – 1999.

“Mbani lotët, ky është çmimi i lirisë” ishte titulli i fjalës së rastit për këtë libër i Nazmi Jakurtit, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë dhe organizator i këtij përurimi.

Çdo dhimbje “gdhend”, por kur është fjala për “gdhendje dhimbjesh”, jo vetëm personale, por për jetë të flijuara, për kauzë lirie e atdhetare, këto dhimbje janë dhe duhet të hyjnë në “muzeun shpirtëror” të secilit, të gjeneratave në vazhdim, të mos-harresës kolektive historike të një populli, që edhe pse përsëriten dhimbshëm, përsëriten në dritën e lirisë, tashmë.

Azize Uka, nëna e dy dëshmorëve

Liria pa këto dhimbje nuk do të ishte kaq e qartë dhe kaq e vlertë. Këto 15 histori dhimbjesh konkrete nënash, i japin edhe më shumë zë, jehonë gjithë dhimbjeve kombëtare.

Simboli i nënave që i kanë gdhendur këto dhimbje, janë monumente shpirtërore-historike, në jetëgjatësinë e dritës së lirisë së merituar, dhe që është vetë Nëna e madhe Kosovë.

“Fati i popujve të vegjël kalon nëpërmjet dyerve të tragjedive të mëdha” – shkruan Ismail Qemali. E pra rezistenca e kujtesës në tragjeditë e mëdha e bën të madh deri në Madhështi një KOMB si ky yni.

Pra, ejani të mësojmë historinë nga ato që e shkruan me gjakun e bijve dhe bijave të tyre, tha ndër të tjera në fjalën e tij të rastit në këtë përurim z. Nazmi Jakurti.

Profesoresha Ermira Lefort u shpreh se në këtë libër ne kemi një muze që flet. Ne kemi një muze që mes lotëve ngatërrohen lotët e krenarisë, në lotët e dhimbjes, dhe e kthen ndryshe titullin nga gdhendja e dhimbjes në lotët e krenarisë. Pra është një muze i gjallë që flet akoma, prandaj duhet të vazhdohet të shkruhet akoma, që të mos vijë një ditë kur gjenerata e tretë e katërt të paguajnë bileta në muzeun e fotografive e faksimileve për të parë realitetin e dhimbshëm të kësaj lirie.

Ndonëse përmbajtja e librit tashmë u prezantua edhe përmes dokumentarit, autorja e librit Alketa Gashi – Fazliu përfoli sekuenca të përjetuara e të sjella në libër nga nënat dhe gjyshet e heronjve dhe heroinave që vulosën lirinë tonë, shkruan albinfo.ch. Gjyshet ma thanë atë që rrallëkush e thotë: “Hallall dhe lavdi, dhe jo s’mërzitemi, se ia kemi dhënë Kosovës”, u shpreh përplot emocione autorja, e cila, tashmë, për të disatën herë e kishte përsëritur këtë fjali.  Ajo tha se gjyshet ishin krenare për sakrificën e bijave dhe bijve të tyre. Gjithsesi, ky libër është më shumë se projekt, është histori dhe faleminderit që e pritët me kaq emocion, u falënderohet autorja Alketa Gashi – Fazliu pjesëmarrësve të përurimit të librit.

Related posts

BDI – Tetovë / Rina Ajdari: Qytetarët e Tetovës po paguajnë fatura katër fish më shumë sesa në të kaluarën

Gjyla Halili

Fronti Evropian po përgatit emrat për zgjedhjet lokale, Osmani në Çair, Sela në Strugë! Ja kush përmendet në Tetovë!

Gjyla Halili

Ndërprerje e shkurtër në rrjetin elektroenergjetik – MEPSO: Situata u normalizua brenda një ore

Gjyla Halili

Leave a Comment