S’ka vetëm një javë qysh se u emetua një emision dokumentar në një televizion shqiptar, kushtuar disa problemeve, midis tjerash edhe zbatimit të gjuhës, dhe shumë shpejtë vjen një dëshmi e kundërt.
Tajmingu i emisionit në njërën anë dhe me një arritje konkrete të përdorimit të shqipes, që e demanton atë, mund të jenë krejtësisht të rastit, anise kjo ndodhi kështu kësaj radhe…
Arritja është shumë konkrete dhe do të thoshim historike: uniformat e policisë tash e tutje do të jenë të shkruara edhe në gjuhën shqipe në kryeqytetin e Maqedonisë dhe në komunat ku jetojnë së paku 20 për qind të përkatësisë shqiptare.
Jo rastësisht përmendëm emisionin ku në mënyrë kritike flitej se nuk zbatohet gjithkund Ligji për Përodrimin e Gjuhëve, por në anën tjetër, hyrja në fuqi e Dekretetit për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat policore, tregon se një gjë e nisur tash e katër vjet më parë me miratimin e ligjit, me gjithë ndonjë vonesë për arsye objektive, nuk e ndalë zbatimin në praktikë.
Kjo tregon edhe seriozitetin e Qeverisë që të jetësojë ligjet e vendit dhe gjërat t’i zgjidhë pa improvizime apo diskurse të tjera politikaneske.
Krijimi i parakushteve ligjore ishte vullnet politik, dhe ky ishte një përcaktim për çdo lavd i partnerëve të koalicionit të kësaj dhe qeverisë paraprake BDI-LSDM.
Për më tepër, një hap i duhur dhe i guximshëm që zgjidhi në mënyrë adekuate një e drejtë e garantuar. Hyrja në fuqi e Dekretit tash, i përgënjeshtroi skeptikët që kishin krijuar percepcion të gabuar se nuk ka vullnet për zbatimin praktik dhe se vonesa ka qenë vetëm për shkak të krijimit të kushteve adekuate teknike.
Me hyrjen në zbatim të uniformave tri gjuhësore, maqedonisht, shqip, anglisht, i bie natyrshëm e drejta zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, të thotë se ky është “një mision i kryer me sukses”.