AKTUALE

Kushtetuesja e rrëzoi Ligjin për Këshillin Prokurorial, LDK kërkon shkarkimin e ministres Haxhiu

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që  ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

LDK, përmes një komunikate ka thënë se “Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”.

“Rrëzimi i këtij ligji është rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa, gjithmonë do jetë në mbrojtje të Republikës sonë dhe rendit tonë kushtetues; një fushë që ky pushtet duket se nuk e kupton”, përfundon komunikata.

Ndërsa, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj Dardan Molliqaj e ka konsideruar fitore rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

“Fitore! U hudh poshtë nga Gjykata Kushtetuese kapja e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Fitore për drejtësinë tonë. Goditje për tendencën autoritare të Kurtit”, ka shkruar Molliqaj në një postim në Facebook.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së tij nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Gjykata ka konstatuar se disa nene të këtij ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK),qysh në qershor të vitit 2022 kishte shprehur shqetësimin lidhur me kalimin në lexim të dytë të Ligjit për KPK-në në Kuvendin e Kosovës.

Këshilli Prokurorial ka thënë se ky ligj cenon rëndë pavarësinë e këtij organi kushtetues.

Tutje, KPK-ja ka deklaruar se vazhdimisht ka dhënë kontributin e tij nëpër grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë dhe në Kuvendin e Kosovës, ku ka dalë me propozime konkrete, por të cilat nuk janë marrë parasysh asnjëherë nga Ministria e Drejtësisë, respektivisht, nga komisioni përkatës i Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

Related posts

Nesër Ahmeti zyrtarizon Frontin Evropian!

Gjyla Halili

Temperaturat sot në RMV

admin

Paga mesatare neto në shkurt të këtij viti ishte 39.276 denarë

Gjyla Halili

Leave a Comment