Ministri i Punëve të Jashtme të Anglisë, James Cleverly ishte zyrtari i radhës që priti në takim kryeministrin Edi Rama dhe vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.
Cleverly, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, u shpreh se Britani dhe Shqipëria do të punojnë bashkë për çështjen e migracionit të paligjshëm.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria janë miq dhe aleatë. Sfidat me të cilat përballemi nuk mund të zgjidhen vetëm. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë së bashku për të trajtuar migracionin e paligjshëm dhe për të mbrojtur sigurinë e Evropës”.
Në vizitën tri ditore në Londër, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa takime, ndërkohë që të enjten pasdite u prit në Downing Street nga homologu britanik, Rishi Sunak.
Dy kryeministrat vunë në pah mundësitë e shumta në tregti, investime dhe teknologji, ndërsa kryeministri Sunak bëri me dije se çështja kryesore e diskutimit ishte emigrimi i paligjshëm i shqiptarëve drejt Anglisë.
Ndërkohë, kryeministri shqiptar në intervistat e dhëna për mediat britanike, nuk ka kursyer kritikat ndaj gjuhës së përdorur prej sekretares së brendshme britanike, Suella Braverman, duke e quajtur veçimin e emigrantëve nga Shqipëria si një moment “të turpshëm” për politikën britanike.
Në deklaratat e tij, Rama ka theksuar se nuk janë shqiptarët ata që sollën krimin në Angli, përkundrazi po shfrytëzohen nga bandat angleze.
“Kriminelët shqiptarë nuk e sollën krimin këtu, ato nuk e sollën drogën këtu, por e gjetën këtu tregun”, u shpreh sot kryeministri gjatë një bashkëbisedimi në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Chatham House
Top Channel