Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar përvjetorin e luftës së Haradinajve në Gllogjan dhe përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Lladrovci ka vlerësuar lartë heroizmin e Haradinajve që filluan luftën me okupatorin, duke theksuar: “Pas Prekazit legjendar, historia jonë do të gjente vend në Gllogjan, te Haradinajt heroik, aty ku liria tashmë kishte zënë vend dhe përballja me forcat armike ishte mision i pakthyeshëm”.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
24 Marsi i vitit 1998 shënon qëndresën epike të Haradinajve, kundër okupatorit serb, duke bashkuar tërë energjitë atdhetare në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për rezistencë deri në çlirim.
Pas Prekazit legjendar, historia jonë do të gjente vend në Gllogjan, te Haradinajt heroik, aty ku liria tashmë kishte zënë vend dhe përballja me forcat armike ishte mision i pakthyeshëm.
Kjo përballje me okupatorin do të garantonte se liria dhe çlirimi tashmë ishin trupëzuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vatrat e atdhetarizmit të kulluar si Gllogjani.
Një vit më vonë, Aleanca më e fuqishme ushtarake që njeh bota, u vu në përkrahje të çlirimit të Kosovës nga forcat okupatore. Bombardimet shënuan një epokë të re, të ndalimit të pastrimit etnik, ndërprerjen e vrasjeve masive dhe gjenocidit që ushtrohej si hakmarrje për luftën tonë çlirimtare nga forcat ushtarake e policore serbe ndaj shqiptarëve.
Bombardimet e caqeve ushtarake serbe, përfunduan me çlirimin e Kosovës dhe vënien në vend të padrejtësive shekullore ndaj qytetarëve të Kosovës. Këtë, populli i Kosovës as kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë.
Lavdi dhe nderim i përjetshëm luftës heroike të Haradinajve!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Nderim i përjetshëm Aleancës Ushtarake të NATO-s dhe vendeve demokratike që u vunë në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës!