AKTUALE

A u respektua Marrëveshja e Koalicionit “Lista Shqiptare” nga nënshkruesit e saj?

Ditët e fundit ishim dëshmitarë të një situate të brishtë e krijuar në mes partnerëve të koalicionit “Lista Shqiptare” e cila në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të vitit 2020, fitoi një mandat.

Koalicioni Lista Shqiptare u formua në mes të subjekteve politike; Forumi Shqiptar (Alternativa Shqiptare – Lidhja Demokratike Shqiptare), Forca e Re Demokratike, Lëvizja Qytetare Perspektiva dhe Unioni i Tuzit.
Këto subjekte nënshkruan Marrëveshjen e Koalicionit në Ulqin, më 28 korrik 2020.

Në këtë marrëveshje, kopjen e së cilës mund ta lexoni më poshtë, definohen subjektet të cilat formojnë listën e përbashkët zgjedhore, ndarjen e funksioneve dhe ndarjen e të ardhurave financiare nga lista e përbashkët.

Në këtë marrëveshje, në nenin V, në mes tjerash thuhet se: “Nëse fitohet vetëm një funksion politik, atë e ndajnë Forca e Re Demokratike dhe Forumi Shqiptar (2 + 2 vjet, 2 vitet e para i takojnë Forcës së Re Demokratike)”. Gjithashtu aty shkruan: “Nëse fitohen dy funksione politike, Forca e Re Demokratike merr mandatin e deputetit ndërsa Forumi Shqiptar çështjen e funksionit politik e zgjedh me konsensus brenda Forumit.

Sipas kësaj marrëveshje, funksion politik cilësohet vendi i deputetit dhe i ministrit

Në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, Lista Shqiptare fitoi një mandat, pra një funksion politik. Funksionin e deputetit e mori Genci Nimanbegu nga Forca, më 3 dhjetor 2020.
Sipas këtij rezultati, bazuar në marrëveshjen, do t’i binte që mandati të ndahet në mes Forcës dhe Forumit Shqiptar (50/50), 2 vite Forcës, pastaj 2 vite Forumit.
Marrëveshja gjithashtu thekson, nëse Lista Shqiptare fiton dy funksione politike, Forca e merr mandatin e deputetit, kurse Forumi Shqiptar funksionin politik (ministrin).

Shiko Marrëveshjen e Koalicionit të Listët Shqiptare (kliko)

Marrja e funksionit të dytë nga Forumi Shqiptar ndodhi, por ajo ndodhi 1 vit e gjysmë pasi Forca e mori funksionin e deputetit.

Nga kjo situatë e krijuar, Forumi Shqiptar ka kërkuar nga Forca që ti dorëzoj mandatin e deputetit, ndërsa Forca e ka refuzuar.

Tashti, nëse i kthehemi marrëveshjes, ajo nuk definon një rezultat të tillë. Nëse e analizojmë, janë dy opsionet e ndarjes së funksioneve politike, e që në fakt rezultoi një kombinim i të dyjave, që marrëveshjen e bije në pikëpyetje! Në këtë rast lind nevoja për një aneks të marrëveshjes, për të cilën do të shkruaj më poshtë.

Nëse marrëveshja shikohet nga këndi juridik, ajo ndoshta më as nuk është e zbatueshme, me çka Forca e justifikon mosdorëzimin e funksionit të deputetit. Por, nëse kjo marrëveshje shikohet nga morale, atëherë mosdorëzimi i funksionit të deputetit nga Forca tek Forumi Shqiptar, nuk justifikohet.

Pa marrë parasysh se si do të vlerësojmë marrëveshjen, nga kjo situatë i dëmtuar del Forumi Shqiptar. Thuajse kjo përbërje e Parlamentit të Mali të Zi do të zgjasë 4 vite, gjë e cila as nuk ka gjasë, pasiqë ai pritet të përfundojë brenda disa muaj, i bije që Forca do të mbajë funksionin e deputetit për katër vite, ndërsa Forumi Shqiptar funksionin e ministrit për dy vite e gjysmë.

Siç u cek më lart, marrëveshja në fjalë nuk parasheh një epilog të tretë. Prandaj, në këtë situatë të krijuar, marrëveshja e Listës Shqiptare kishte nevojë për një aneks marrëveshje, në mënyrë që të rregullohet situata e cila u krijua ndërkohë.

A ka një aneks marrëveshje të shkruar dhe të nënshkruar nga palët, siç duket nuk ka, por ka një marrëveshje gojore. Sipas kësaj marrëveshje gojore, bartja e funksionit të deputetit nga Forca tek Forumi Shqiptar duhet të kishte ndodhë në seancën e kaluar parlamentare.

Se kishte një “Aneks Marrëveshje” e vërteton një komunikatë e Forcës drejtuar Forumit Shqiptar, e cila daton më 20 dhjetor 2022.
Ky komunikim përpos që vërteton se ka ekzistuar një aneks, vërteton se Forca ishte dakorduar që funksionin e deputetit t’a dorëzoj Forumit Shqiptar në seancën pranverore. Kjo seancë është zhvilluar në javën e parë të muajit mars 2023.

Shiko komunikatën e Forcës, drejtuar Forumit Shqiptar (kliko)

Bartja e funksionit të deputetit nuk ndodhi, me çka partitë politike shqiptare në Mal të Zi, edhe një herë shfaqën faqen e tyre të vrazhdët.

Robert Gj. Ivezaj

Related posts

Demiri: Spitali i Gostivarit po forcohet me rikonstruime, pajisje të reja dhe kapital njerëzor

Gjyla Halili

Besimi në Konferencën e ASHAM: BE dhe SHBA janë partnerët tanë të rëndësishëm në zhvillimin e vendit

admin

Kryetari Visar Ganiu vlerëson lartë Unionin Studentor Shqiptar

admin

Leave a Comment