AKTUALE

Baerbock para mbërritjes në Shkup: Vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, e cila sot do të jetë për vizitë në Maqedoninë e Veriut, para mbërritjes në Shkup tha se pret mbështetje të gjerë në parlament për ndryshimet kushtetuese.

Baerbock në Shkup do të ketë takime me kreun e shtetit dhe opozitën në përpjekje për t’i dhënë shtysë ndryshimeve kushtetuese me të cilat bullgarët dhe komunitetet e tjera duhet të përfshihen në Kushtetutë.

“Vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE, ashtu si partnerët tanë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Këtë e kemi vërtetuar, e kemi treguar më së voni me fillimin zyrtar të negociatave për anëtarësim në BE në korrik të vitit 2022”, tha Baerbock para se të nisej për në Shkup, transmeton Deutsche Welle.

Ajo thotë se nuk duhet të zhgënjehen pritjet e shumicës së madhe të qytetarëve në vend.

“Shpresat dhe pritjet e mëdha që njerëzit në Maqedoninë e Veriut kanë për procesin e anëtarësimit, për ne janë një mundësi dhe rrezik në të njëjtën kohë. Rrezik, sepse mund t’i humbasim qytetarët e Maqedonisë për Evropën, nëse si BE i tradhtojmë pritshmëritë e tyre me gjithë progresin dhe lëshimet e dhimbshme që kanë bërë në 17 vitet e fundit.

Një shans, sepse të gjithë pjesëmarrësit në procesin e zgjerimit të BE-së e kanë të qartë se për çfarë bëhet fjalë: për një të ardhme në familjen evropiane, për një rajon me mirëqenie dhe paqe të qëndrueshme, për vetëvendosje”, tha shefja e diplomacisë gjermane.

Nga MPJ gjermane, para vizitës, vlerësuan se Maqedonia e Veriut është “vend kyç” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se qëllimi kryesor i vizitës së Baerbock është zhbllokimi i procesit të ndryshimeve kushtetuese. Këtë e paralajmëroi edhe Baerbock në deklaratën.

“Mund ta kuptoj mirë se për momentin në Maqedoninë e Veriut diskutohen me zemër dhe pasion të gjitha çështjet për identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën, kjo edhe tek ne nuk është ndryshe dhe është e natyrshme për çështje të rëndësishme siç është ndryshimi i Kushtetutës. Por përvoja tregon: në situata të tilla ia vlen të lëmë mënjanë kalkulimet partiake-politike, të udhëhiqemi nga një synim i qartë dhe të luftojmë vendosmërisht në atë drejtim. Mbështetja e gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Kushtetutës do të dërgojë një sinjal jo vetëm në vetë vendin, por edhe më tej në të gjithë rajonin: ne absolutisht dëshirojmë të hyjmë në BE dhe po bëjmë gjithçka që është e nevojshme nga ana jonë”, tha. Baerbock para vizitës në Shkup.

Related posts

Pret tre policët e kidnapuar nga Serbia, Osmani: Policia, institucion kyç për integritetin dhe sovranitetin e vendit

admin

Buçkovski: “ZNAM” bëri fushatë të gabuar në zgjedhjet parlamentare, krahasuar me ato presidenciale

Gjyla Halili

Dush me ujë të nxehtë apo të ftohtë në vapë – Ekspertët japin përgjigjen

admin

Leave a Comment