Spitali i ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT hapi dyert për pacientet e parë, të cilët do të marrin trajtim të specializuar.
Por, ky nuk ishte lajmi i vetëm i ditës për bluzat e bardha. Kryeministri paralajmëroi se brenda këtij viti çiftet e reja të mjekeve do të jenë përfitues të një skeme mbështetëse, e cila do prekë dhe policët dhe ushtaraket.
“Do publikojmë një program tjetër të posaçëm për mjekët ushtarakët, punjonjësit e policisë për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj specialistë natyrisht kur të paraqiten çift jo tek, që do të thotë për të gjithë çiftet e reja të mjekëve specialistë, të policëve dhe ushtarakëve do të jenë subjekte të këtij programi ku shteti qeveria do mbeshtesë kreditimin e tyre, për të pasur mundësinë e marrjes të një shtëpie me kushtet të tjera nga kushtet e tregut bankare”, tha Rama.
Mbështetja financiare do të vijojë me rritjen e pagave për mjekët specialistë dhe do të vijojë me mjekët e përgjithshëm dhe infermierët.
“Ne kemi vendosur që të rrisim në mënyrë agresive pagën për mjeket specialistë ky tani është një fakt i kryer dhe paga e muajit prill do jetë 500 dollarë, apo 50 mijë lek plus, dhe natyrisht s’duam të ndalemi këtu. Do rrisim pagën e mjekëve të përgjithshëm dhe të infermjëreve siç e kemi premtuar me 7 përqind këtë vit dhe do përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre”, shtoi ai.
Edi Rama kishte lajme te mira për mjekët por jo për studentët e kësaj fushe të cilët vendosin të braktisin vendin pasi mbarojnë universitetin.
“Kam thënë dhe palës gjermane por pala gjermane sheh interesin e saj, s’mund të pranojmë që një student të paguajë 1.6 e kostot dhe pjesën tjetër shteti, një kosto 15 herë më e lartë se tarifa dhe në fund studenti të marrë diplomën dhe të ikë në Gjermani, patjetër s’mund të mbajmë me zor njeri por do bëjmë politikën të diferencuar të kostos dhe tarifës në raport me angazhimin për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë kohe të caktuar”, tha kryeministri.
Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT. Ai do ketë mbi 300 shtretër dhe mbi 600 punonjës si ambiente për praktikantet.
Top Channel