SHQIPËRI

Rama vizitë në Greqi/ Takim me presidenten: Jam optimist, do t’i zgjidhim të gjitha çështjet e lëna pezull

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, në ditën e dytë të vizitës në shtetin fqinj.

Rama: Marrëdhënia e njerëzve të zakonshëm është e shkëlqyer, kjo na ka ndihmuar që ta shihnim njëri tjetrin me sytë e njerëzve të zakonshëm. Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve. Edhe dakortësia për t’ju drejtuar një pale të tretë për zgjidhjen e detit tregon se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve.

“Gëzohem shumë që u njohëm nga afër, bashkëpunimi ynë është shumë i rëndësishëm. Vendi ynë e mbështet vendin tuaj në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, tha presidentja greke.

Ditën e dytë të vizitës në Athinë, Rama e nisi agjendën e tij politike me takime në parlamentin helen, ku u takua me  kryetarin Konstantinos Tasoulas.

Tasulas pasi i uroi mirëseardhjen delegacionit shqiptar, vlerësoi miqësinë mes dy vendeve dhe urat lidhëse mes dy popujve, siç janë minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi.

Tasulas përsëriti qëndrimin e Greqisë për mbështetjen e vendit në Bashkimin Europian, ku siç tha ai, vendet anëtare gëzojnë benefite. Rama e falënderoi për pritjen dhe vlerësoi rolin e Greqisë në rrugën euroiane të Shqipërisë.

Një ditë më parë, Rama zhvilloi një darkë pune me homologun grek Kyriakos Mitsotakis në selinë qeveritare “Maksim”.

Dy krerët bashkë me delegacionet e tyre folën rreth marrëdhënieve dypalëshe si dhe mundësitë e reja për bashkëpunim në të ardhmen.



Kryeministri shqiptar çeli edhe ekspozitën me punimet e tij personale në Athinë. Para të pranishmëve ai tha se kjo ishte një ëndërr e hershme e rinisë.

Ai gjithashtu u takua dhe me ministrin e jashtëm grek, Nikos Dendiasi cili inauguroi ekspozitën, ndërsa e vlerësoi kryeministrin Rama jo vetëm si artist, por edhe si politikan.