I mbetur pa vulën dhe logon e partisë, të cilën e themeloi 3 dekada më parë, Sali Berisha po lëviz të gjitha gurët për të penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e pranverës të krijesës së tij me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i mbylli derën për të garuar si kryetar i Partisë Demokratike në betejën vendore, por sytë dhe shpresat e ish kryetarit demokrat janë në Kolegjin Zgjedhor, të cilit i kërkon ti heqë të drejtën Enkelejd Alibeaj për të garuar me logon dhe vulën e PD-së në zgjedhje, dhe t’i hapë rrugë regjistrimit nga e para të Partisë Demokratike, por këtë herë me kryetar Sali Berisha.
Paralelisht me këtë hap kërkohet që Kolegji të detyrojë Komisionerin Ilirjan Celibashi të korrigjojë vendimin që e la kreun e Foltores jashtë koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Por, saga a ankimimeve në emër të Partisë Demokratike nuk ka të sosur. Në një kohë që Sali Berisa pret që Komisoni Qëndror i Zgjedhjeve të pezullojë Enkelejd Alibeajn deri sa gjykata e zgjedhjeve të thotë fjalën e fundit, kryetari i komanduar i PD u vu në lëvizje dhe trokiti në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve për të kërkuar ç’regjistrimin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë” ku Berisha ka vendosur të strehojë kandidatët e primareve.
Argumenti që përdor Alibeaj për të lënë jashtë zgjedhjeve Berishën është se në marrëveshjen e tij të koalicionit me Ilir Metën përdoren simbolet e Partisë Demokratike në mënyrë të jashtëligjshme. Alibeaj shqetësohet në ankesën e tij edhe se kush mes Metës, Dules dhe Ndokës do të propozojë kandidatët e koalicionit për sa kohë kandidatët i ka Berisha dhe jo te tjerët.
E ndërsa duket që telashet për Enkelejd Alibeaj marrë fund ende, realiteti nuk është i tillë, pasi edhe pse gëzon vulën dhe logon e Partisë Demokratike ai nuk ka ende kandidatet për 61 Bashkitë e vendit. Me zgjedhjet ne prag nga njëra ane dhe presionin e shtuar të Berishës nga ana tjetër Aliebaj ka nisur konsultimet me besniket e tij.
Në tryezë janë tre opsione: Dalja me kandidat ne te gjithë bashkitë e vendit, opsioni i dytë është nxjerrja e emrave vetëm ne bashkitë ku pretendohet se kandidatët e PD zyrtare janë të fortë dhe lënia e terrenit te lirë në zonat e tjera për kandidatët e Foltores. Ndërsa, skenari i trete është futja në zgjedhje vetëm për të synuar këshillat bashkiak.
Top Channel