AKTUALE

Petrovska nga Brukseli: Politika e Maqedonisë është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të Unionit

“Pres që mesazhi i unitetit, bashkëpunimit të fortë dhe mbështetjes reciproke në ruajtjen dhe riafirmimin e vlerave globale dhe evropiane – demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbajtjes së një rendi ndërkombëtar të bazuar në parime dhe rregulla, të rezonojë fuqishëm në secilin nga ne. Nuk ka mënyrë më të mirë për të gjetur zgjidhje për sfidat e sotme të sigurisë sesa të jemi të bashkuar, sidomos duke pasur parasysh se këto sfida janë kryesisht të natyrës jokonvencionale”, tha sot në mëngjes ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në një deklaratë para fillimit të Forumit të parë “Schuman” të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në të cilin merr pjesë me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell, njofton PRESSonline.mk .

Petrovska për Forumin theksoi se është një vend dhe mënyrë e shkëlqyer për të krijuar kontakte edhe më të ngushta dhe një rrjet të palëve të interesuara, politike dhe profesionale, të cilët do të mund të gjejnë zgjidhje për sfidat moderne të sigurisë me forca të përbashkëta.

Në darkën e punës që i parapriu Forumit, me titull “Bota në ndryshim: adresimi i sfidave të përbashkëta”, ministrja Petrovska mbajti një fjalim formal së bashku me kolegët e saj, ministrat e mbrojtjes të Gjermanisë, Norvegjisë, Suedisë dhe Ruandës. Para kolegëve ministra të mbrojtjes dhe pjesëmarrësve të Forumit, Petrovska tha se shumë nga sfidat e përbashkëta sot nuk i njohin kufijtë shtetërorë dhe gjeografikë dhe se duhet veprim i përbashkët për t’u mbrojtur dhe për t’i penguar këto aktivitete para se të bëhen kërcënim serioz për shoqëritë tona.

“Sfidat e sigurisë me të cilat përballemi sot nuk janë të kufizuara në mjetet konvencionale. Ato janë komplekse dhe të sofistikuara, shfaqen në forma të ndryshme, duke ndërthurur instrumente ushtarake dhe joushtarake të manifestuara në fushën e teknologjisë dixhitale, sulmeve kibernetike dhe përhapjes së dezinformatave. Ne duhet të riafirmojmë vazhdimisht vlerat dhe interesat tona të përbashkëta dhe të kemi komunikim dhe koordinim të sinqertë dhe të vazhdueshëm”, tha ministrja Petrovska.

Petrovska tha se sulmet kibernetike si pjesë e kërcënimeve hibride mund të kenë ndikim negativ në sigurinë e qytetarëve dhe funksionalitetin e shoqërive, ndërsa sfidë serioze mund të jetë edhe stagnimi në integrimin e vendeve dhe rajoneve, sepse mund të çojë në stagnim ekonomik, paqëndrueshmëri politike dhe pasiguri sociale.

“Maqedonia e Veriut është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që ka filluar procesin e anëtarësimit. Angazhimi ynë është i fortë dhe gatishmëria jonë për të qenë pjesë e familjes evropiane është e dukshme. Politika e Maqedonisë së Veriut është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit dhe kjo tregon përkushtimin tonë në procesin e integrimit evropian”, theksoi ministrja Petrovska.

Bashkëpunimi ndërmjet kombeve, tha Petrovska, është më i rëndësishmi në promovimin dhe ruajtjen e vlerave, etikës dhe moralit që na bashkojnë dhe vetëm duke punuar së bashku mund të jemi shembull dhe të frymëzojmë ndryshime pozitive në kornizat globale.

Forumi i parë Schuman mbahet nën moton “Së bashku më të fortë në një botë të paqëndrueshme” dhe organizohet nën kujdesin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Qëllimi i këtij Forumi është të forcojë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve relevantë globalë dhe rajonalë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe të jetë një forum ku do të diskutohen çështjet kryesore të sigurisë dhe mënyrat e forcimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Related posts

Ivan Ivanaj kryetar i LDSH-së për katër vitet e ardhëshme, Gjeloshaj: “Shqiptarët në Mal të Zi po dëshmojnë çdo ditë e më shum se jan shembull i gjallë i demokracisë, urime Ivan”

admin

Sonte në zyrat e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar patëm takim me strukturat e partisë

Gjyla Halili

Drejtori Halili paralajmëron themelimin e laboratorit në fushën e Arqitekturës në UEJL

admin

Leave a Comment