AKTUALE

Kryeparlamentari Xhaferi priti në takim edhe Mirosllav Llajçak

Në takimin e sotëm me Përfaqësuesin special të BE-së i ngarkuar për dialogun Beograd -Prishtinë, Mirosllav Llajçak, Kryetari i Kuvendit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, duke i uruar mirëseardhje mysafirit, shprehu edhe kënaqësi që takimi i nesërm në drejtim të këtij dialogu do të mbahet në Ohër.

“Për mua, kjo gjithsesi paraqet simbolikë e cila ka rëndësinë e vet dhe po ashtu mirënjohje për pozitën ndërkombëtare të vendit tonë,” theksoi Kryetari Xhaferi. Ai potencoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka marrëdhënie të mira dhe miqësore me të dyja vendet dhe si vend fqinj, japim mbështetje të madhe për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e suksesit në qëllimin që përfundimisht të gjetet zgjidhje e ndërsjellë e pranueshme për të dyja palët. Në këtë kontekst, Kryetari Xhaferi u ndërlidh në rrugën e deritanishme të suksesshme ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut në suaza të integrimeve euroatlantike, para së gjithash, përmes shembullit të zgjidhjes së suksesshme të kontestit të vështirë dhe të hapur që e patëm me Republikën e Greqisë, nënshkrimin e Mrrëveshjes së miqësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë. Ai vazhdoi se pritjet janë të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe më në fund ti hapim negociatat sipas kapitujve me Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi special i BE-së, Mirosllav Llajçak, falënderoi për takimin me Kryetarin e Kuvendit dhe e shprehu kënaqësinë e vet që është sërish në Republikën e Maqedonisë së Veriut e cila për të paraqet vend ku ka shumë miq dhe vend i cili i pari në rajon e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit për anëtarësim në BE. Ai u pajtua në tërësi me Kryetarin Xhaferi se negociatat e nesërme në Ohër paraqesin simbolikë të bukur për njërën palë që është mikpritëse e këtij takimi dhe e cila paraqet faktor stabiliteti në rajon me rezultatet e deritanishme që i tregoi në planin ndërkombëtar. Njëherazi, z. Llajçak theksoi se ky është takimi i parë në kuadër të dialogut Beograd-Prishtinë i cili realizohet jashtë kufijve të Brukselit dhe në këtë aspekt, është mirënjohje për vendin tonë. Ai e njoftoi më hollësisht Kryetarin Xhaferi me rrjedhën e deritanishme të negociatave mes Serbisë dhe Kosovës, me të gjitha fazat dhe vërejtjet e deritanishme në suazat e këtyre negociatave si edhe me hapat e implementimit dhe shprehu shpresë se dita e nesërme do të sjellë lëvizje të konsiderueshme të këtij procesi.  

Përfaqësuesi special i BE-së i ngarkuar për dialogun Beograd – Prishtinë, Mirosllav Llajçak, ndër tjerat, shprehu interes edhe për çështjet rreth fillimit tonë të negociatave me BE-në dhe shprehu bindjen personale se aktorët politikë në vendin tonë do të jenë të vetëdijshëm për momentin dhe gatishmërinë e BE-së për të filluar negociatat pas përfundimit të obligimeve rreth bërjes së ndryshimeve kushtetuese.

Në fund të takimit, Kryetari Xhaferi i uroi Llajçakut punë të suksesshme në takimin e nesërm në Ohër.

Related posts

Programi ekonomik elektoral i BDI-së – do të përfshijë edhe propozimet e “esnafit” të biznesit!

Gjyla Halili

Lëvizja Populli sonte në Studeniçan

Gjyla Halili

“Bukuria e Agjërimit: Transformimi dhe Solidariteti në Muajin e Ramazanit”

Gjyla Halili

Leave a Comment