AKTUALE

Pavarësi dhe paanshmëri të sistemit gjyqësor- BE me mesazh që shteti të dënojë korrupsionin edhe në nivel të lartë

Sot në Shkup, Këshilli i Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut mbajti mbledhjen e 16-të. Takimin e kryesoi kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në delegacion ishin zëvendëskryeministër Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Delegacioni i BE-së u kryesua nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell Fonteles dhe Politikën e Sigurisë dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhey, i cili përfaqësonte Komisionin Evropian, njoftuan shërbimet qeveritare, transmeton bild.mk .

“Kjo është hera e parë që Këshilli i Stabilizim Asocimit mban një takim në Maqedoninë e Veriut, gjë që thekson përkushtimin e plotë dhe të qartë për perspektivat e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe për procesin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut. Takimi ishte një mundësi për të shqyrtuar progresin që ka bërë Maqedonia e Veriut në përgatitjet për anëtarësim në BE dhe në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit, si dhe për të diskutuar për punën e mëtejshme që nevojitet të bëhet. Pjesëmarrësit mirëpritën procesin e avancuar të rishikimit analitik të legjislacionit të BE-së (skrining), ndërsa presin me padurim përfundimin e procesit të skriningut”, shtohet në deklaratë.

Pjesëmarrësit mirëpritën objektivin e qartë strategjik të BE-së dhe ambicien e Maqedonisë së Veriut për të avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit në bazë të progresit të vazhdueshëm me reformat, duke konfirmuar përkushtimin e BE-së për të mbështetur më tej Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE. Të pranishmit gjithashtu theksuan rëndësinë e reformave të vazhdueshme dhe konsolidimit të mëtejmë të zbatimit të tyre, në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Duke marrë parasysh realitetin e ri gjeopolitik pas luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja ka nënvizuar fuqishëm rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështjet e politikës së jashtme. BE-ja përshëndeti dhe vlerësoi përparimin shumë të mirë të Maqedonisë së Veriut me pajtueshmëri të plotë dhe të qëndrueshme me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së. Kjo është një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të Maqedonisë së Veriut dhe e vendit të saj në bashkësinë e vlerave. BE-ja përshëndeti edhe mbajtjen e Presidencës së OSBE-së 2023 nga Maqedonia e Veriut në kontekstin global të mbushur me sfida”, shtojnë nga Qeveria.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përparimit të mëtejshëm në fushat e mbuluara nga Kapitujt 23 (Drejtësia dhe të Drejtat e Njeriut) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria). Duke u mbështetur në progresin e arritur tashmë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të garantuar pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. BE-ja inkurajoi Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë të konsolidojë arritjet në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare në rastet e korrupsionit, me përfshirje edhe në nivel më të lartë.

Këshilli i Stabilizim – Asocimit përshëndeti përfundimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të kryera nga Roja Kufitare dhe Bregdetare Evropiane (Frontex) në Maqedoninë e Veriut dhe pret me padurim hyrjen e saj në fuqi.

BE inkurajoi të gjitha palët në Parlament që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive së bashku dhe të ndërtojnë një konsensus ndërpartiak që do të fokusohet në marrjen e hapave konkretë në procesin e negociatave dhe ruajtjen e dinamikës aktuale të reformave.

Lidhur me zhvillimet ekonomike, Këshilli i Stabilizim – Asocimit rikujtoi “Përfundimet e Përbashkëta të Dialogut Ekonomik dhe Financiar ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë” mbi Programet e Reformës Ekonomike të mbajtura më 24 maj 2022 dhe inkurajoi Qeverinë që të fokusohet në zbatimin dhe monitorimin e tyre. Ai i kërkoi vendit të zgjidhë sfidat kryesore të mbetura dhe të zbusë pasojat negative të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të procesit të stabilizimit dhe asocimit. Marrëveshjet dypalëshe ekzistuese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duhet të zbatohen me mirëbesim.

BE-ja do të vazhdojë të forcojë dhe intensifikojë përfshirjen e saj, në të gjitha nivelet, për të vazhduar transformimin politik, ekonomik dhe social të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë ndihmën e vazhdueshme të bazuar në përparimin e prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, si dhe respektimin e vlerave, rregullave dhe standardeve të BE-së. Pas miratimit të kuadrit ligjor për Instrumentin e Asistencës së Para-Aderimit (IPA) III, i cili është burimi kryesor i fondeve, BE-ja nënvizoi nevojën për të forcuar kapacitetet administrative të strukturave të IPA-s për të mundësuar zbatimin e papengueshëm të programeve IPA III.

BE pret me padurim zbatimin e plotë të Planit Ekonomik dhe të Investimeve, si dhe Agjendës së Gjelbër dhe Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, dy mjete të rëndësishme për kapërcimin e hendekut socio-ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhje, si dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital të rajonit duke ndërtuar në të njejtën kohë qëndrueshmëri dhe pavarësi energjetike. Maqedonia e Veriut në tre vitet e fundit ka marrë grante në vlerë prej 276,3 milionë euro dhe 362,5 milionë euro kredi në kuadër të Planit ekonomik dhe investues.

Pjesëmarrësit rikujtuan gjithashtu rëndësinë e Paketës së BE-së për Mbështetjen e Energjisë me vlerë 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor (500 milionë grante dhe 500 milionë kredi të buta dhe garanci), nga të cilat 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut synojnë mbrojtjen e grupeve më të cenueshme, grupet e prekura nga kriza energjetike, veçanërisht bizneset, familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke avancuar njëkohësisht tranzicionin dhe diversifikimin e energjisë. Tashmë është paguar kësti i parë prej 72 milionë eurosh.

Këshilli i Stabilizim-Asocimit gjithashtu shkëmbeu mendime për ngjarjet në Maqedoninë e Veriut dhe situatën rajonale në Ballkanin Perëndimor. / bild.mk

 

Related posts

DUKE KUJTUAR SREBRENICËN, NE I JAPIM ZË TË DREJTËS PËR TË EKZISTUAR 

Gjyla Halili

Bujar Osmani: Ali Ahmeti i la shqiptarët dalëzotës, ndërsa pas 100 ditëve kjo qeveri na ktheu në qiraxhi

Gjyla Halili

Mexhiti: Shumica e ardhshme me mbi 75 deputetë / Osmani: VLEN në Qeveri vetëm si pjesë e “Maqedonia përsëri e jotja”

Gjyla Halili

Leave a Comment