AKTUALE

Hera e parë që Këshilli SA mblidhet në Shqipëri: Të intensifikohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në nivelet e larta

Këshilli i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri (Këshilli SA) zhvilloi takimin e tij të dymbëdhjetë më 16 mars në Tiranë. Takimi u kryesua nga z. Josep Borrell Fontelles, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë. Z. Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, përfaqësoi Komisionin Evropian. Z. Edi Rama, kryeministër, kryesoi delegacionin shqiptar. Morën pjesë gjithashtu Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, zonja Olta Xhaçka dhe Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, zonja Majlinda Dhuka.

 

Kjo ishte hera e parë që Këshilli SA u mblodh në Shqipëri, duke nënvizuar angazhimin e qartë të Bashkimit Evropian për integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë. Takimi ofroi një mundësi për të vlerësuar përparimin e Shqipërisë në përgatitjet e saj për anëtarësim dhe në kuadrin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe për të diskutuar se si të intensifikohen më tej marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë. BE-ja vlerësoi përparimin e procesit të shqyrtimit analitik të acquis të BE-së (screening), ndërkohë që pret me padurim përfundimin e procesit.

 

Pjesëmarrësit vlerësuan drejtimin e qartë strategjik dhe ambicien e Shqipërisë për të ecur përpara me negociatat e anëtarësimit në BE bazuar në progresin e reformave, duke riafirmuar angazhimin e BE-së për ta mbështetur më tej Shqipërinë në përpjekjet e saj drejt anëtarësimit në BE. Pjesëmarrësit nënvizuan gjithashtu rëndësinë e çuarjes së mëtejshme përpara të progresit të reformave dhe konsolidimin e zbatimit, në interes të qytetarëve të Shqipërisë.

 

Duke pasur parasysh realitetin e ri gjeopolitik pas luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, BE-ja nënvizoi fuqimisht rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. BE-ja e përgëzoi fort Shqipërinë për përafrimin e saj të vazhdueshëm 100% me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe masat kufizuese të BE-së pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo është një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike dhe vendit të Shqipërisë në një komunitet vlerash. BE-ja vlerësoi gjithashtu angazhimin aktiv të Shqipërisë, si një anëtare jo e përhershme, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për promovimin dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar te rregullat.

 

Pjesëmarrësit vunë në dukje angazhimin e Shqipërisë në fushën e shtetit të së drejtës dhe e inkurajuan Shqipërinë që të vazhdojë të punojë për zbatimin e gjithë aspekteve përkatëse të grupimit të parimeve bazë. BE-ja e përgëzoi Shqipërinë për progresin përgjithësisht të mirë të bërë nëpërmjet zbatimit të vazhdueshëm të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke theksuar nevojën për përparim të mëtejshëm. BE-ja nënvizoi gjithashtu se përpjekjet për të krijuar një historik të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të intensifikohen, duke përfshirë nivelin e lartë. BE-ja e inkurajoi Shqipërinë që të miratojë dhe zbatojë masat e mbetura, veçanërisht në fushën e pakicave, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, të drejtat e pronësisë, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale. BE-ja vlerësoi bashkëpunimin e mirë për trajtimin e sfidave të përbashkëta të migracionit dhe të sigurisë, si dhe e inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj, duke përfshirë përafrimin e politikës së saj të vizave me listën e BE-së për vendet e treta për të cilat kërkohen viza. BE-ja nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të trajtimit të çështjes së kërkesave të pabazuara për azil nga qytetarët shqiptarë.

 

BE-ja vuri në dukje se Shqipëria ka vazhduar përafrimin e legjislacionit dhe kapaciteteve të saj me standardet e BE-së. Nevojiten përpjekje të mëtejshme thelbësore në lidhje me përgatitjet e përgjithshme për miratimin dhe zbatimin e acquis të BE-së. BE-ja e inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë të përmirësojë kapacitetin e saj administrativ për të zbatuar dhe forcuar legjislacionin në mënyrë efektive, si dhe nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së organeve rregullatore. BE-ja vlerësoi faktin që Shqipëria e ka forcuar strukturën e saj koordinuese për integrimin në BE. Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu nevojën që autoritetet, partitë politike dhe të gjitha segmentet e shoqërisë të komunikojnë në mënyrën e duhur me publikun mbi integrimin në BE dhe mbi ndihmën e BE-së.

 

BE-ja e inkurajoi Shqipërinë që të vazhdojë përpjekjet për të përmbushur më tej kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së dhe për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Evropian. BE-ja vuri në dukje se Shqipëria ka bërë përparim të mirë me përgatitjet për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe se, e mbështetur nga një gamë e gjerë politikash të përshtatshme, ekonomia shqiptare tregoi elasticitet.

 

BE-ja rikujtoi gjithashtu rëndësinë e Paketës së konsiderueshme të Mbështetjes për Energjinë prej 1 miliard Eurosh për Ballkanin Perëndimor (500 milionë grante dhe 500 milionë kredi të buta dhe garanci), nga të cilat 80 milionë Euro për Shqipërinë synojnë të mbrojnë grupet më të cenueshme që preken nga krizat energjetike, në veçanti bizneset, familjet dhe NVM-të, ndërsa vazhdon tranzicioni, siguria dhe diversifikimi i energjisë.

 

BE-ja vlerësoi ratifikimin së fundmi nga Shqipëria të Marrëveshjes së Partneritetit për Kornizën Financiare për IPA III. BE-ja përsëriti angazhimin e vet për ta ndihmuar Shqipërinë për intensifikimin e punës me reformat, duke përfshirë ato që kërkohen për të maksimizuar ndikimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Gjatë tre viteve të fundit Shqipëria ka marrë 229.1 milionë Euro grante dhe 305.1 milionë Euro kredi në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

 

Pjesëmarrësit vlerësuan gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal, si dhe dialogun e saj të vazhdueshëm për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore. BE-ja rikujtoi se bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, siç është identifikuar në planin e veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, do të mbetet vendimtar për të përfituar plotësisht nga potenciali i rajonit dhe nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve.

 

Këshilli SA mbajti gjithashtu një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimet në Shqipëri dhe situatën rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Related posts

Bastisje në Vizbeg të Shkupit, kapet drogë në dy lokacione

admin

Ish-presidenti Thaçi: Jam në izolim fizik, por jo në burg mendor

admin

Maksuti: Gjykatat ekspoziturë në shërbim të Qeverisë

Gjyla Halili

Leave a Comment