Ditën e premte me datën 3.3.2023 në kabinetin e Këshillit Bashkiak të Malësisë së Madhe u organizua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetare Nderi” artizanes shekullore, malësores Tole Lekë Berishaj (Elezaj), motivacioni i së cilës lidhej me punën dhe kontributin e saj në punimin dhe prodhimin e veshjeve kombëtare.
Kjo malësore e nderuar për dekada me rradhë, si një bletë punëtore, me duart e saja të arta prodhoi qindra xhubleta, të cilat gjetën plotësinë e tyre tek malësorët, kryesisht të Diasporës anë e mbanë botës.
Në ceremoninë e rastit, përveç anëtarëve të Këshillit Bashkiak, zyrtarëve dhe nëpunësve të Bashkisë, i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë Malsia e Madhe z. Tonin Marinaj, i cili e priti me nderim, duke i dorëzuar titullin e akorduar me vendim të Këshillit Bashkiak. Gjithashtu në ceremoninë e rastit morën pjesë të afërm e familjarë të artizanes, si dhe mjaft intelektual të këtij rrethi, të cilët në fjalët e tyre përshëndetëse shprehen me respekt mirënjohje ndaj punës dhe meritave të artizanes shekullore Tole Lekja.
Gjatë kësaj ceremonie, në kuadër të pranimit të xhubletës në UNESCO, të ftuar ishin edhe përfaqsues të shoqatave kulturore vendore, ku kjo Bashki ka dhënë mbështetjen e saj për promovimin e trashëgimisë kulturore në Malësi të Madhe.
Ndër to ishte edhe Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, e kryesuar nga kryetarja Rita Shkurtaj, e cila në kuadër të këtij bashkëpunimi reciprok me Bashkinë Malësi e Madhe, të pranimit të xhubletës në UNESCO dhe nismës së përbashkët RRNON TRADITA NË MALËSI TË MADHE, i dorëzoi edhe titullin e nderit “ARTIZANJA E SHEKULLIT” malësores së nderuar Tole Lekja Berisha, për punën dhe përkushtimin e saj në ruajtjen dhe trashëgimin e dijebërjes së xhubletës, çmim i akorduar ditë më parë me rastin e datëlindjes së saj të 96-të.
Ceremoninë e rastit e ndoqën dhe përcollën edhe mediat lokale e kombëtare, të cilat i dhanë një vlerësim të shtuar kësaj ceremonie dhe artizaneje duarartë, e cila vazhdon të sfidojë moshen me punën dhe vullnetin e saj të jashtzakonshëm.
Arti burimor i mishëruar në këtë grua shekullore është kthyer në një gurrë të pashtershme pasurie për Malësinë e Madhe, çka na vesh me krenari në mbarë trojet shqiptare.