Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar kontrollet në pronën e bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj nga Byroja Kombëtare e Hetimit.
Berisha: Koalicioni do jetë koalicion fitimtar. PD do e drejtojë koalicionin. Ju duhet të keni parasysh, dy figurat Rama dhe Veliaj, nuk takojnë dot qytetarë. Edhe zyrtarët që i fusin në takim, i fusin me detektorë metalikë. E kuptoni se çfarë tmerresh i kanë kallur atij. Kurse Veliaj rrethohet nga një batalion i policisë bashkiake dhe takon 3-4 vetë të përgatitur. Rama-Veliaj janë autorë kryesorë të aferës së tmerrshme të djegësave. Kryetar është direkt Edi Rama. Ia dha Arben Ahmetaj. Le të kontrollojë syndyqet e gruas së Ahmetajt, por nuk shpëton Edi Rama nga afera e djegësve. Të bëjë ç’të dojë, të kontrollojë kë të dojë. Ai është njeriu që mobilizoi qeverinë për një aferë të tmerrshme. Erion Veliaj kreu krimin e shëmtuar duke firmosur në emër të gjithë këshillit dhe sot gjobit qytetarët me 18 euro për çdo ton. Janë të zier në krim, janë të mbrujtur në krim, janë të pashpresë. Ndaj i bën këto. Kontrollon shtëpitë vetëm për të shpëtuar nga inceneratorët. Se SPAK është shndërruar totalisht në repart të PS-së. Totalisht!
Një ditë më parë me vendim të Gjykatës Kundër Korrupsionit, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ushtruar kontroll në një prej pronave të bashkëjetueses së ish-ministrit Arben Ahmetaj në Hamallaj.
Kontrolli është bërë në funksion të dosjes hetimore ngritur për aferën me inceneratorët ku ka prova të dukshme se dhe ish-ministri Ahmetaj ka përfituar favore nga Klodian Zoto si bileta avioni apo akomodime në hotele. Burimet thonë se nga kontrolli janë gjetur shuma të arsyetuara parash dhe asgjë e paligjshme.
Megjithatë, oficerët e BKH dhe SPAK po kryejnë një verifikim të pasurive jo vetëm të ish-ministrit por dhe të ish-bashkëshortes së tij dhe bashkëjetueses në disa rezidenca, kryesisht në Tiranë dhe Durrës.
Përveç dosjes së inceneratorëve, ish-ministri Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij mund të pyeten edhe për lidhjen e afërt me ish-vartësen Alda Klosi, e cila është në masë sigurie arrest me burg për pastrim parash. Ajo u vu në pranga pas një vjedhjeje të inskenuar që kreu sanitarja e saj Rozeta Dobi ku nuk mundi të justifikojë një shumë prej më shumë se 400 mijë euro.
Ish-ministri dhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është i përfshirë në çështjen e inceneratorëve. Në dosjen e SPAK janë të dhënat e nxjerra nga kompjuteri i administratorit të inceneratorëve Klodian Zoto, i cili gjatë punës për realizimin e koncesionit ka paguar sasi të mëdha parash në favor të udhëtimeve private të ish-ministrit Arben Ahmetaj.
Udhëtimet e kushtueshme të ish-ministrit Ahmetaj me partneren e tij janë paguar nga Klodian Zoto, pronarit të shoqërisë koncensionare të inceneratorëve.
Po këto nuk janë pushimet e vetme që Ahmetaj ka marrë si dhuratë nga Klodian Zoto. Gazetari Doçi ka publikuar pagesat e reja të Klodian Zotos për Arben Ahmetajn dhe ish-bashkëshorten e tij të parë në Pisa, Vjenë dhe Maltë.
Nëse dokumentet e publikuara në dhjetor 2022 konfirmonin se Zoto ka paguar akomodimin në hotele partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, faturat e publikuara sot, sipas Doçit konfirmojnë se Klodian Zoto, bosi i inceneratorëve, ka mbuluar udhëtimet edhe të ish-bashkëshortes së Ahmetajt si dhe të vetë Ahmetajt.
Pasi ish-ministri ka firmosur në 14 prill 2014 për koncensionin e inceneratorëve në cilësinë e ministrit të Ekonomisë dhe më pas ka lëvruar fondet publike në cilësinë e ministrit të Financave, Zoto i ka kthyer reston, duke i mbuluar shpenzimet Ahmetajt, ish-bashkëshortes si dhe partneres. Pagesat e Klodian Zotos për mbulimin e udhëtimeve dhe akomodimin në hotele me 5 yje të Ahmetajt dhe bashkëshortes së tij, i përkasin periudhës 2015-2016. Me paratë e inceneratorëve, çifti Ahmetaj ka vizituar simbolet turistike të Evropës. Udhëtimet dhe akomodimet në hotele luksoze përkojnë me hyrje-daljet e shënuara në sistemin TIMS.
Faturat e hoteleve me 5 yje për Ahmetajn dhe partneren e tij, përkojnë kryesisht me fundjavat. Për këto fatura, dy prokurorët e SPAK që po hetojnë dosjen, nuk e kanë thirrur në asnjë moment të vetëm Arben Ahmetajn për ta pyetur.
Top Channel