Shkup, 9 mars – Shuarja e një jete ndonjëherë paraqet një jetë të re. Për t’u rikthyer jetës normale, disa pacientë me sëmundje të ndryshme kronike pranojnë edhe transplantimin e organeve nga të vdekurit, që t’i rikthehen jetës normale pa shqetësime dhe vuajtje të vazhdueshme.
Pas 8 vitesh në dializë, një 51 vjeçar ka bërë transplantim të veshkës nga një i vdekur. Ai ndjehet mirë dhe bën apel për dhurim të vazhdueshëm të organeve.
“Transplantimi është diçka më ndryshe se dializa, pas tij rikthehesh pothuajse në jetën normale. Unë e kam marrë veshkën nga një kufomë. Asgjë nuk është tragjike, nëse pas vdekjes së pacientëve të bëhet transplantimi i organeve, siç thonë, më mirë të jetojë dikush me atë organ se sa të jetojë duke vuajtur për të. Të paktën le të vazhdojë jeta për dikë.”, – tha pacienti, Kiro Hristovski.
Nga Shoqata e të Sëmurëve nga veshkat kërkojnë që në listën pozitive të vendosen ilaçe të reja, sepse ajo nuk është azhurnuar për një dekadë.
“Beneficione për këto barna do të kenë edhe pacientët edhe institucionet shëndetësore dhe në vetë buxhetin e RMV-së.”, – u shpreh Dushko Gjeorgjievski nga Shoqata për sëmundje të veshkave.
Në vend ka rreth 1.600 pacientë në dializë, 150 presin të marrin veshkën nga një dhurues. Nëse sëmundja zbulohet në kohë, mund të parandalohet, thonë mjekët. Shkaktarët më të zakonshëm të sëmundjeve të veshkave janë presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe obeziteti.
“Shpeshherë pacientët udhëzohen me vonesë nga mjekët amë apo edhe vetë pacientët shpesh e neglizhojnë sëmundjen, e vonojnë diagnostifikimin e saj.”, – u shpreh mjeku, Aleksandar Popovski.
“Përveç që të gjithë ne duhet të mendojmë për zhvillime të paparashikueshme dhe efektin e tyre për shëndetin e pacientëve, të cilët tanimë kanë sëmundje të veshkave apo që kanë zhvilluar sëmundje kronike të veshkave, duhet të mendojmë edhe për preventivin e pacientëve me sëmundje kronike të veshkave.”, – theksoi drejtoresha e Klinikës së Nefrologjisë, Irena Bushletiq.
Pacienti më i ri në vend që shkon në dializë është vetëm tre vjeç dhe më i moshuari 90. Rreth 60 pacientë shkojnë në dializë prej më shumë se 20 vitesh. Një mënyrë jetese e shëndetshme është e rëndësishme për reduktimin e numrit të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e veshkave.