Kryetari i LDSH-së Nikollë Camaj,ka falenderuar gjithë qytetatët e Malësisë dhe diasporën në veçanti që besimin e tyre e orientuan në mënyrë të duhur dhe sovrani e tha fjalën e tij.
“Faleminderit gjithsecilit që vërejti dhe vlerësoi punën tonë 4-vjeçare. Faleminderit gjithsecilit që na përcolli, apo që na u bashkëngjit në këtë rrugëtimin e përbashkët për të realizuar ëndrrën tonë për Malësinë unike dhe për komunën e plotë dhe të administruar nga shqiptarët”-theksoi Camaj
Ja postimi i plotë:
Bac u kry!
Verdikti i sovranit u pa! Ai u tha jo përçarjeve dhe jo rrugëve qorre!
Por i tha PO bashkimit ndër shqiptarë, i tha po zhvillimit, i tha po ruajtjes së identitetit!
I tha po, Forumit Shqiptar!
Prandaj faleminderit gjithsecilit që u angazhua që rezultati të jetë i këtillë. Faleminderit gjithsecilit që vërejti dhe vlerësoi punën tonë 4-vjeçare. Faleminderit gjithsecilit që na përcolli, apo që na u bashkëngjit në këtë rrugëtimin e përbashkët për të realizuar ëndrrën tonë për Malësinë unike dhe për komunën e plotë dhe të administruar nga shqiptarët.
Faleminderit gjithsecilit që vendosi qoftë edhe një guralec për të përforcuar themelet e përjetësisë shqiptare në këto troje.
Në këtë drejtim, falënderim i veçantë për diasporën tonë, pa të cilën Malësia nuk mund të paramendohet. Ata bënë sakrifica dhe vlerësuan mundimin tonë. Por Malësia i meriton sakrificat. Në rend të parë i meritojnë ata që u murosen në themelet e sajë, dhe që i ruajtën emrin dhe famën në kohëra tejet të vështira. Por e meritojnë edhe ata që do ta trashëgojnë, e që duhet t’ua lëmë Malësinë vend të dëshiruar për të jetuar në të.
Prandaj, bashkimi ynë në Forumin shqiptar është një mision që paraqet kulmin e angazhimit tonë, por edhe kënaqësinë për të gjitha sakrificat e bëra, për të mirën e përbashkët.
Këtë e kanë vërejt edhe figurat më të rëndësishme të kombit, nga politika, shkenca, arti e sporti, të cilët na përkrahën pa rezervë, e për çka u jemi mirënjohës!
Mbetemi në shërbimin tënd o Malësi, o shqiptari!
Faleminderit që na e mundësuat të jemi në shërbimin Tuaj!
N. Camaj, kryetar i LDSH