Hija e Lulzim Bashës vijon të përndjekë Partinë Demokratike edhe pas dorëheqjes së tij.
Një vit nga disfata e thellë e 6 marsit, Basha u shfaq në skenën politike si kryetar i demokratëve duke i dhënë fund enigmës nëse ikja e tij kishte apo jo biletë kthimi.
Në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike në KQZ, trashëgimtarët e Bashës nxorën nga sirtarët një shkresë të lidershipit demokrat të firmosur tri ditë para se ai të jepte dorëheqjen në mars te 2022, ku Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhin i jepen kompetencat e kryetarit për proceset zgjedhore.
“Do e vlerësojë komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, është një praktikë e përcaktuar në kod dhe është e ndjekur nga shumë parti politike“, u shpreh sekretari ligjor i PD-së së Alibeajt, Indrit Sefa.
Topi tashmë është në fushën e Komisionerit Ilirjan Celibashi, i cili mbi tryezë ka dy kërkesa për regjistrimin e Partisë Demokratike, me dy kryetarë të ndryshëm.
Në pozita më të favorshme duket Enkelejd Alibeaj, i cili thirri forumet për zhvillimet e orëve te fundit, por u përball me kërkesën e shumicës që në zgjedhje, demokratët, krahas vendimit të gjykatës, të dalin vetëm me një kandidat.
“Partia Demokratike duhet patjetër që të dalë bashkë në zgjedhjet e 14 majit. Lulzim Basha është e shkuara e PD-së, ka dhënë dorëheqjen, ne duhet të shohim nga e ardhmja”, tha Jorida Tabaku.
Zërat që kërkojnë shkrirjen e kandidatëve, Sali Berishën që vijon të mos gjejë paqe pas vendimit të Apelit që e la pa vulë, i sheh si kurth.
“Nuk ekziston fraksioni, ekziston fraksioni i pengjeve të Edi Ramës, Lul Brava dhe Alibasha. PD është një dhe vetëm një, është ajo e anëtarësisë”, tha Sali Berisha.
Apeli i mori çelësat e partisë Sali Berishës, por Enkelejd Alibeaj vendos t’i mbledhë demokratët në bar kafe dhe Rithemelimi në seli për momentin duket se nuk është në planet e tij.
Top Channel