Enkelejd Alibeaj, i prezantuar në KQZ si kryetar i Partisë Demokratike ka mbledhur Grupin Parlamentar dhe Kryesinë, për të diskutuar për agjendën e zgjedhjeve lokale, pak pas depozitimit në KQZ të kërkesës për regjistrimin në vendoret e 14 majit.
Në mbledhje janë të pranishëm 18 deputetë, Selaudin Jakupllari, Ramadan Likaj, Lefter Gështenja, Flutura Açka, Merita Bakiu, Eralda Tase Bane, Andia Ulliri, Flamur Hoxha, Arbi Agalliu, Kreshnik Collaku, Gazment Bardhi, Sajmir Korreshi, Dhurata Çupi, Zheni Gjergji, Bledion Nallbati, Dashbor Sula, Jorida tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.
Pas mbledhjes së kryesisë , deputetja Jorida Tabaku tha se PD duhet të dalë e bashkuar në zgjedhje dhe se përballë nuk kanë njëri-tjetrin, por Edi Ramën. Për Lulzim Bashën, Tabaku tha se ai është e shkuara dhe se duhet të shohim nga e ardhmja.
“Nuk ka rëndësi se çfarë pozicion kam unë. Duhet të ngrihemi mbi veten tonë për të ofruar një ofertë serioze për PD-në, në zgjedhjet e 14 Majit. Sot është momenti që të bashkuar të ofrojmë atë që nuk e ofruam dot në vitin 2019. Shqiptarët presin një ofertë serioze nga partia Demokratike. Unë do të jem gjithmonë për bashkimin e Partisë Demokratike. Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen. Është e shkuara e PD-së, ne duhet të shohim nga e ardhmja. Data me firmën e tij është 18 Mars 2022.”– është shprehur deputetja Tabaku.
Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje kandidatëve të dalë nga primaret e Sali Berishës që të futen në garën elektorale të 14 majit nën siglën zyrtare të PD-së. ‘Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike’- tha ai.
“Siç deklaruam të premten në mbrëmje, vendimi i Gykatës së Apelit, përbën për Partinë Demokratike, për të gjithë ne, një moment të veçantë përgjegjësie për të rimarrë me energji të reja kursin e forcimit, rritjes dhe fitores. Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë, por jemi me të vendosur se kurrë për t’ja dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit tanë, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe. Nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit. Me pjesëmarrjen, me kandidatët , me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike; Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri; T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike; Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve. Për këtë :1-Në lidhje me kandiatët për këshilltarë bashkiakë:
Duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive. Paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë. 2- Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive;
Në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë, i propozoj kësaj kryesie hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në menyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik. 3-Në lidhje me aleancat;
PD merr përsipër ti prijë ndërtimit të një Aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon identitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore”– u shpreh deputeti Alibeaj.
Lufta e brendshme e PD-së është zhvendosur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi një natë më parë ish-kryeministri Sali Berisha paraqiti kërkesën e tij për regjistrimin e PD-së duke pretenduar se e ka të drejtën ligjore. Berisha dërgoi përfaqësuesit ligjorë të ‘Rithemelimit’, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri që depozituan dokumentacionin për regjistrimin si subjekt zgjedhor në emër të Partisë Demokratike për 14 majin, duke firmosur dokumentet si kryetar i Partisë Demokratike.
Top Channel