Ditët e fundit, kërcënimet për vendosjen e mjeteve shpërthyese kanë ardhur nga emailet e dërguara nga adresat në Iran dhe Rusi dhe pagesat për shërbimet VPN bëhen me kriptovaluta, gjë që e vështirëson gjetjen e autorëve, tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në një vizitë në STUDIO 10 në Televizionin 24, transmeton pressonline.mk .
Ministri shtoi se raportimet në vend janë kryesisht nga të miturit, por ata nuk do të ndajnë informacion për këtë me publikun derisa të sigurohen provat.
“Ky është një sulm hibrid intensiv që po na ndodh në të gjithë vendin, gjatë të cilit janë prekur rreth 120 objekte, jo vetëm shkolla. Shërbimet e sigurisë ishin duke punuar në mënyrë aktive, siguria nuk ishte e kërcënuar por duhej vepruar sipas udhëzimeve. Ne kemi krijuar një ekip operacional të institucioneve të ndryshme pjesëmarrëse me ekspertët e tyre dhe po kërkojmë zgjidhje të përshtatshme për të gjetur një qasje të ndryshme ndaj kërcënimeve elektronike. Si ministër kam sjellë udhëzime të reja për veprim dhe nga e premtja shkollat funksionojnë sipas atyre udhëzimeve”, informoi Spasovski.
Me udhëzimin e ri, siç sqaroi ai, bëhet vlerësimi i rrezikut, ndaj tash e tutje do të merren masa, por pa prishur procesin edukativo-arsimor në shkolla.
Për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi, Spasovski theksoi se policia do të jetë e pranishme pranë shkollave, si pjesë e udhëzimeve për të cilat nuk do të shpallen publikisht, por do të njoftohen drejtorët e shkollave.
“Mësimi do të zhvillohet pa ndërprerje dhe veprimet do të jenë sipas situatës faktike. Gjëja më e rëndësishme është siguria dhe qetësia e qytetarëve. Ministria e Brendshme do të vlerësojë rrezikun e paralajmërimit, por në çdo rast do të veprojë sipas kërcënimit, thotë ai.
Ai theksoi se MPB-ja bashkëpunon me Interpolin dhe Europolin, ndërsa si problem serioz theksoi adresat VPN. Ai gjithashtu deklaroi se çështja nuk është jashtë kontrollit dhe se ka raportime në të gjithë botën.
Përparimet në teknologji i bëjnë gjërat më të lehta, por edhe krijojnë probleme. Ministria e Brendshme që në fillim ka analizuar disa motive të ndryshme. Një prej tyre është ai gjeostrategjik, i cili ka shumë gjasa sepse kërcënimet me bombë intensifikohen në varësi të situatës në frontin në Ukrainë. Një motiv tjetër është aventurieri, e këtu bëhet fjalë për të mitur, sqaroi Spasovski.
Ai shtoi se sulmet hibride ushqehen nga gjithçka që po ndodh në botë, nga migrimi, te luftërat dhe krizat siç është ajo ekonomike./pressonline.mk