Në një raport të fundit mbi gjendjen e toksicitetit pranë një prej aksidenteve më të mëdha bërthamore të historisë, thuhet se qentë që jetojnë brenda zonës së ndaluar me rreze 1,000 km nga centrali i shkatërruar i Çernobil, zhvillojnë një jetë normale pasi mund të kenë evoluar në një lloj superior kaninësh.
Një studim i ri thotë se zona rreth impjantit të shkatërruar bërthamor në katastrofën e prillit 1986 është braktisur krejtësisht nga njerëzit pasi të paktën 30 persona vdiqën nga sindroma e radiacionit pak pas katastrofës.
Edhe 30 viktima të tjera i janë atribuar shpërthimit të centralit në disa vite në vijim, sipas studimit, ndërsa OKB thotë se rreth 4000 vetë kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me tragjedinë.
Shkencëtarët kanë kryer tashmë studimin në lidhje me qentë që jetojnë në zonë, shumë prej të cilëve kanë lindur nga qen të mbetur pas evakuimeve.
Ata thonë se qentë sillen në mënyrë të çuditshme dhe kanë tufa me lidhje të forta me njëri-tjetrin.
Kafshët janë monitoruar prej vitit 2017 duke u studiuar tiparet gjenetike për të konfirmuar nëse kanë ndodhur mutacione mbrojtëse që kanë ndihmuar mbijetesën e tyre.
Dr Elaine Ostrander, geneticiste e institutit shtetëror të SHBA tha për rrjetin britanik Daily Telegraph: “Ne nuk e dimë ende çfarë është, por mund të jenë ndryshime gjenetike që u lejojnë qenve të mbijetojnë në këtë mjedis”.
“Ne besojmë se do të ishte interesante të identifikonim ndryshimet që mund të kenë ndodhur te ta, që në të ardhmen të përdorim si mbrojtje ndaj ekspozimit aksidental apo natyral ndaj radiacionit”.
Mbyllja e zonës ndaj njerëzve ka bërë që aty gjatë viteve të zhvillohet bota e egër, ku tashmë shihen riqebuj, bizonë, ujq, drerë dhe arinj, duke u kthyer në rezervatin e tretë më të madh natyror në Evropë.
Studimi u publikua në revistën shkencore “Science Advances”.
Top Channel