BOTA

Fituesi i Çmimit “Nobel” të Paqes, Ales Bialiatski, dënohet me 10 vjet burg në Bjellorusi

Fituesi i Çmimit “Nobel” për Paqen dhe aktivisti për të drejtat e njeriut Ales Bialiatski u dënua me 10 vite burg të premten nga një gjykatë në atdheun e tij Bjellorusi, ku u gjet fajtor për financimin e protestave.

60-vjeçarit Bialiatski iu dha Çmimi Nobel në tetor për punën e tij në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Bjellorusi, ku ish-udhëheqësi i epokës sovjetike Alexander Lukashenko, një aleat i fortë i Rusisë, ka qeverisur me dorë të hekurt për gati 30 vjet, duke burgosur kundërshtarët, apo duke i detyruar ata të largohen.

Presidenti bjellorus Lukashenko duke u takuar në Moskë me Presidenti rus Vladimir Putin (17 shkurt 2023). Foto: Reuters

Drejtuesja e Komitetit Novergjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, e quajti një tragjedi dënimin. “Ales Bialiatski është një ndër luftëtarët më të shquar për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut në Bjellorusi. Çështja gjyqësore dhe akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht”, tha Reiss-Andersen.

Ministra e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e quajti procesin gjyqësor “një farsë”.

Drejtuesja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila është larguar nga vendi, e quajti vendimin si “revoltues”. Ajo u shpreh në Twitter se “duhet të bëjmë gjithçka për të luftuar kundër kësaj padrejtësie të paturpshme” dhe për lirimin e tij.

Sviatlana Tsikhanouskaya. Foto: Reuters

Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha gjatë një takimi në Gjenevë, se ky institucion i OKB-së është i shqetësuar nga gjyqi dhe për “mungesën e një procesi të paanshëm dhe mungesën e një gjyqësori të pavarur në Bjellorusi”.

Në pamjet filmike nga salla e ngarkuar e gjyqit në Minsk duket Bialiatski, që bashkëthemeloi grupin e të drejtave të njeriut “Viasna” (“Pranvera”), me duart të lidhura pas shpinës, ndërsa ndjek pas hekurave procesin së bashku me të akuzuarit e tjerë.

Gjatë protestave të opozitës në Bjellorusi (4 tetor 2020). Foto: Reuters

Bialiatski, i cili u arrestua në vitin 2021 dhe tre persona të tjerë në të njëjtin proces, u akuzuan për financimin e protestave dhe futjen ilegalisht të fondeve në vend.

Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta konfirmoi se gjykata u dha dënime të gjata me burg të gjithë të akuzuarve, përfshirë një dekadë burgim për zotin Bialiatski. Ai i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. /VOA

Related posts

17-vjeçari i vrarë në Francë/ Gjyshja e viktimës: Të ndalen trazirat, Naheli po përdoret si justifikim

admin

Cilat janë drogat më të përhapura dhe sa të rrezikshme janë?

admin

Riaktivizohen vatrat e zjarrit në Rodos! Erërat e forta “bllokojnë” përpjekjet e zjarrfikëseve për të shuar frontet aktive

admin

Leave a Comment