Raportimet e mediave franceze për kurdisje të rezultateve nga një skuadër kosovare e futbollin kanë bërë bujë të madhe, ndërsa pas skuadrës së Llapit (e cila përmendet në raportime) dhe Federatës së futbollit të Kosovës, ka reaguar edhe Ministria për Rini, Kulturë e Sport. MKRS të premten ka dalë me një komunikatë.
Komunikatë për Opinionin Publik
Ndërlidhur me çështjen e adresuar gjatë ditës së djeshme dhe sot nga mediet elektronike në Kosovë, të cilat i referohen shkrimeve të disa mediumeve franceze, në të cilat flitet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës;
Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.
Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media.
Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive.