Lideri i LDSh-së, shtylla e koalicionit të partive dhe organizatave shqiptare që veprojnë në Tuz e Malësi, në vend e diasporë, Nikollë Camaj, ka ftuar malësorët të jenë unik, për “Forumin Shqiptar” dhe numrin 5, si garanci për gjuhën dhe flamurin, për shqiptarët në komunën që përbën mbi 70%, në zemrën e Malësisë, Tuzin.
“Se shqiptarët janë vetëm shqiptarë, që njohin një gjuhë e një Flamur, do ta dëshmojnë me 5 mars, duke rrethuar numrin 5. Ky është amaneti i Zharnicës së Halil Hakës e Palok Gjokës, i Prizrenit të Smail Martinit, Çun Mulës e Baca Kurtit, i Bratilës së Ded Gjo Lulit e i heroinave Tringës e Norës, por edhe i Batalionit Atlantiku e i diasporës”, ka shkruar Camaj.
Ftesa e z. Camaj në rrjetin social:
Të nderuar Malësidashës,
Nuk kanë mbetur shumë ditë deri te data e zgjedhjeve për Kuvendin e Tuzit, por edhe më pak kanë mbetur dilema se kujt duhet t’i besohet mandati i ardhshëm 4-vjeçar. Këtë e dëshmoi edhe debati i mbrëmshëm në TV Boin, që jo vetëm se dëshmoi epërsinë e Forumit, por edhe varfërinë e ofertës rivale, në politikën malësore.
Edhe pse retorika parazgjedhore do të duhej të prihej nga urtia popullore “uji shkon e zalli mbet”, sepse këtu nuk ka betejë midis armiqsh, por mes rivalëve politikë, ajo gjithnjë përshkallëzon dhe devijon nga ajo që na mëson thënia në fjalë. Ndarja në “ne” dhe në “ata”, shpesh na nxjerrë jashtë spektrit të argumenteve, gjë që nuk do të guxonte të ndodhë, por kjo nuk do të ndodhë me këtë shkrim. Pra, ja vetëm disa argumente.
Në rend të parë se NE, Forumi shqiptar, me numrin 5 para, kemi mjaft argumente që na rekomandojnë, pa lënë asnjë mëdyshje te qytetari, se kush do ta menaxhonte më mirë komunën tonë, në mandatin e ardhshëm, pasi që është evidente se Malësia nuk ka qenë, asnjëherë në histori, kantier ndërtimi si këto 4 vite. Këtë nuk mund ta mohojë askush. As projektet për të ardhmen nuk mund t’i bie kush në dyshim, pasi që fjala është për një ekip që të gjitha premtimet e para 4 viteve i ka tejkaluar. Unë, megjithatë nuk dua të vë theksin në ato që i kemi punuar, pasi që veprat flasin vetë, por në faktin se puna e kryer është garant se do të kryhen edhe të tjerat. Pra, për ne flasin veprat!
Kur flasim për të tjerët, siç shohim as ata nuk kanë tepër kritika në punën tonë. Prandaj më shpesh merren me çështje jashtë asaj që do të duhej të ishte fokusi kryesor i fushatës së tyre. Por, mungesa e tyre në seancat e kuvendit, për 4 vite, sikur nuk ua jep këtë të drejtë, pasi që aty ishte vendi për të debatuar. Pastaj, premtimet bajate të përsëritura e të parealizuara me dekada të tëra, derisa ata ishin në pushtet, nuk duken fare serioze. Këto janë argumente, të nderuar miq! Pra, çfarë mund t’i rekomandojë ata për zgjedhjet e ardhshme?! Asgjë! Apo, ndoshta loja me çështje të identitetit e mbjellja e ndarjeve në baza të pabaza!
Për këtë po marr vetëm një shembull: nëse ata fitojnë, e nuk kanë asnjë mundësi që të fitojnë, krye-parlamentari, sipas marrëveshjes që kanë, do t’i takonte grupit politik, që në të shkuarën jo fort të largët ishte angazhuar që gjuha shqipe të mos jetë në përdorim zyrtar në Malësinë tonë. Paramendoni që Kuvendi i ardhshëm të udhëhiqet në gjuhën jo shqipe. Në vendin ku mbi 70% janë shqiptarë. Ky as nuk është standard, e as praktikë evropiane. Aty ku pakica përbën shumicën, praktikat janë krejt ndryshe, dhe nga kjo nuk do të lëvizet. Pra, me gjuhë e Flamur nuk ka lojë, nuk ka kompromis me askënd. Kjo nuk mund të ndodh, të nderuar rivalët tonë politikë. Këtë nuk do ta lejojnë qytetarët, por me votën e tyre do t’ua tregojnë vendin. Se shqiptarët janë vetëm shqiptarë, që njohin një gjuhë e një Flamur, do ta dëshmojnë me 5 mars, duke rrethuar numrin 5.
Ky është amaneti i Zharnicës së Halil Hakës e Palok Gjokës, i Prizrenit të Smail Martinit, Çun Mulës e Baca Kurtit, i Bratilës së Ded Gjo Lulit e i heroinave Tringës e Norës, por edhe i Batalionit Atlantiku e i diasporës.