SHQIPËRI

Parlamenti, dera e mbyllur e të përjashtuarve/ Xhafaj në Top Talk: Kauzat e opozitës, stuhi në një gotë uji! Në Kuvend zbatohet rregullorja

Një tjetër seancë me tensione dhe bllokime të foltores u zhvillua këtë të enjte në Parlament. Demokratët këmbëngulën për ndryshimin e rendit të ditës, duke kërkuar që kryefjalë të ishte skandali McGonigal, por socialistët përdoren forcën e kartonëve për të refuzuar.

Ndërkohë, jashtë sallës zhvillohej një protestë e opozitës me dhjetëra qytetarë me pankarta në duar.

Demokratët akuzojnë mazhorancën për shkelje të rregullores së Kuvendit dhe të Kushtetutës, ndërsa paralajmërojnë vazhdimin e protestave.

Deputeti socialist Etjen Xhafaj, në një intervistë për emisionin “Top Talk” me gazetaren Juli Xhokaxhi, iu përgjigj disa prej këtyre akuzave.

Përjashtimin e deputetëve të opozitës dhe mos lejimin për të hyrë në kuvend, Xhafaj e cilësoi zbatim të rregullores:

“Ajo që bëri Garda e Republikës është që zbatoi rregulloren e Kuvendit, të votuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit, që parashikon që në rast se ka thyerje të etikës, të cilat janë të përsëritura, ka edhe masa. Tentativat për të shkuar kundër asaj rregulloreje dhe për të hyrë më forcë në sallën e Parlamentit nuk janë të lejuara.

Sa i përket thyerjes së Kushtetutës, ne kemi rënë dakord që seanca e datës 2 mars, do të jetë seanca për t’iu përgjigjur mocionit të kërkuar nga opozita ku kryeministri do të jetë prezent. Rregullorja edhe në këtë rast është e qartë, që seanca duhet të bëhet brenda 30 ditëve dhe është respektuar edhe kjo pikë e rregullores”.

Datat e protestave të opozitës përkojnë me datat që kanë gjyqin për vulën, thotë socialisti, duke u shprehur se kjo është e vetmja emergjencë që ka aktualisht Partia Demokratike.

Ne nuk mund të vazhdojmë dhe të ndjekim çdo kauzë të çdo momenti që ngrihet si stuhi në një gotë uji nga opozita për të treguar urgjencën dhe për të ushqyer ato që janë protesta. E dimë shumë mirë se kush është arsyeja e protestave, rrënja e këtij problemi nuk është ajo që supozohet nga opozita, që domethënë që kryeministri paska paguar për të bërë lobim kundër kryetarit të opozitës. E dimë shumë mirë që ajo çështje ka të bëjë me një hetim tjetër në SHBA, atë të Nick Muzin. Ndërkohë që McGonigal akuzohet se nuk i ka raportuar këto takime në rrugët e duhura, që nuk ka deklaruar në momentin që i ka marrë ato fonde nga personi B (Neza) dhe më pas janë disa implikime të tjera, por që në dosjen e hetimit nuk citojnë palën shqiptare si të akuzuar”.

Xhafaj ka një përgjigje dhe për komisionet hetimore që ka kërkuar opozita por nuk janë aprovuar, për shkak të votave kundër të mazhorancës.

“Në përfundim të dy komisioneve të fundit hetimore, ka pasur një diskutim që është bërë bashkë me opozitën dhe është folur për ndryshime në ligjin për komisionet hetimore, pasi kemi një ligj që është i fund viteve ’90. Unë kam qenë anëtar te dy komisionet hetimore të shkuara, por nuk mund të konsiderohen komisione hetimore ku meqë opozita ka pultin në dorë, mazhoranca nuk lejohet të flasë me ditë të tëra. Flet vetëm opozita dhe përsëritet të njëjta akuza”.

I pyetur nga Juli Xhokaxhi se përse Byroja e Hetimit nuk ka miratuar kërkesën e deputetëve të përjashtuar për të folur dhe për të dhënë qëndrimet e tyre, deputeti socialist shprehet:

“Te rregullorja dhe te kodi i etikës, të gjitha ato që quhen shkelje që parandalojnë të drejtën e shprehjes së lirë së fjalës. Kur merret fjala për të folur për çështjet e rendit të ditës, duhet folur për rendin e ditës, pavarësisht se ka pasur lirshmëri deri në këtë moment dhe shumë kolegë kanë zgjedhur ta kthejnë në seanca akuzash. Asnjë kolegë nuk është penalizuar për shkelje të procedurës, kur ka marrë fjalën për procedurë, janë dënuar në rastet kur ka pasur bllokim të rregullores dhe sjellje të tjera që janë në fyerje të kodit të etikës”.


Top Channel

Related posts

Marrëveshja në Ohër, Begaj: Një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në BE

admin

Belgjikë, arrestohet një grup i shqiptarëve për drogë

admin

Disa zona në Shqipëri përfshihen nga zjarri

admin

Leave a Comment