AKTUALE

Bekteshi : Kompanitë ushqimore që përdorin energji elektrike të subvencionuar nuk ulën çmimet, do të propozojmë heqjen e masës

Ministria e Ekonomisë aktualisht po punon për hartimin e masave të reja që synojnë uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Masa për kufizimin e marzheve të produkteve bazë ushqimore respektohet plotësisht nga tregtarët, por një numër i madh i kompanive ushqimore që përdorin energji elektrike të subvencionuar nga shteti nuk kanë ulur çmimet, tha Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në një intervistë për Magazinën Ekonomike në Televizionin Alsat.
Siç tha ministri, Ministria e Ekonomisë ka pasur disa takime me Odat ekonomike, veçanërisht me kompanitë që janë prodhuesit më të mëdhenj të produkteve ushqimore bazë, nga të cilat ka dalë konkluzioni se Qeveria duhet të marrë masat e duhura në fushën e energjisë elektrike me të vetmin qëllim që t’i ndihmojë prodhuesit e produkteve ushqimore bazë dhe të ndikojë në uljen e çmimeve që vihen në pah me vendim të Qeverisë, si produktet bazë si buka, vaji, makaronat e kështu me radhë, veçanërisht qumështi.
Një pjesë e konsiderueshme e kompanive vendore me të cilat kemi pasur marrëveshje, fatkeqësisht nuk e kanë respektuar marrëveshjen që kemi pasur mes Qeverisë dhe Odave Ekonomike dhe nuk kanë ulur çmimet e produkteve bazë ushqimore. Ne si Ministri e Ekonomisë kemi marrë një raport nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, presim një raport përfundimtar deri në fund të këtij muaji. Sipas të dhënave paraprake, një pjesë e konsiderueshme e kompanive që janë mbi 250 dhe që përdorin masën e subvencionimit të energjisë elektrike, mbi 60-70% e tyre nuk kanë respektuar të njëjtin vendim dhe kanë të njëjtat çmime të produkteve që kishin në nëntor, para se të hynte në fuqi vendimi për subvencionimin e energjisë elektrike, tha ministri Bekteshi.
Sipas Bekteshit, sa i përket masës për kufizimin e marzhit të fitimit, e cila është miratuar edhe për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore, sipas të dhënave të ISHT-së, ajo respektohet nga të gjithë tregtarët.
Inspektorati Shtetëror i Tregut është në vazhdimësi në terren dhe kontrollon të gjitha kompanitë që përdorin energji elektrike të subvencionuar. Sipas Ligjit të Tregtisë dhe Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ata që shkelin dispozitat do të sanksionohen dhe mund edhe të mbyllen, tha ministri Bekteshi.
Ministri tha se për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë e sektorit ushqimor janë ndarë rreth 1.2 deri në 1.3 milionë euro, mjete që mund të përdoren për masa të tjera, veçanërisht për qytetarët që kanë nevojë më të madhe.
Aktualisht jemi duke hartuar masa të reja me Ministrinë e Financave. Në vend që të subvencionojmë kompani të caktuara që nuk i respektojnë dispozitat e dakorduara, ato mjete në buxhet që janë ndarë për masa kundër krizës duhet t’i ripërdorim në uljen e detyrimeve të caktuara, qofshin ato doganore apo të tjera, dhe kështu të ndikojmë në uljen e çmimeve. tha ministri Bekteshi.

Ministri theksoi se masa për subvencionimin e energjisë elektrike për shkollat fillore dhe të mesme dhe për ndërmarrjet publike do të mbetet, ndërsa për kompanitë propozimi i Ministrisë së Ekonomisë është që të shfuqizohet.
Sa i përket çmimit të energjisë elektrike, ministri Bekteshi tha se është duke u analizuar mundësia e kthimit të tarifës së lirë të energjisë elektrike për dy orë gjatë ditës. Kthimi i tarifës së lirë të energjisë elektrike gjatë ditës i kushton shtetit rreth 15-16 milionë euro në vit, fonde që tani sigurisht ripërdoren për masa të tjera në mbështetje të qytetarëve.

Related posts

LD: Derisa Ministrinë e Arsimit e udhëheq BDI, nxënësit shqiptarë nuk kanë as libra

admin

Osmani: Këto zgjedhje nuk janë të rëndomta, janë referendum popullor

Gjyla Halili

Pse Ziadin Sela turpërohet nga Musa Xhaferi dhe Bujar Osmani?

Gjyla Halili

Leave a Comment